Për 20 muaj, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar mbi një milion euro për pagesën e qirave për Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë. Ministria e Punëve të Brendshme, kërkesës së MBPZHR-së për sigurim të një objekti që është pronë shtetërore i është përgjigjur negativisht. Ndërkohë, për KOHËN, MPB-ja ka thënë se ka hartuar një plan, zbatimi i të cilit mund të zgjasë deri në 3 vjet
Mbi gjysmë milioni euro ka shpenzuar Ministria e Bujqësisë për qira që nga shtatori i vitit 2019, kur edhe është zhvendosur në objektin te kompleksi “Ramiz Sadiku” në Prishtinë.
Në një përgjigje me shkrim, nga kjo ministri bëjnë me dije se çdo muaj paguajnë qira në vlerë 28.080 euro.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që nga muaji shtator i vitit 2019, ka nënshkruar kontratën për shfrytëzimin e hapësirës prej 1560m2 në objektin privat, në adresën Rr. Ukshin Hoti nr. 120, ku sipas kësaj kontrate MBPZHR-ja paguan qiranë mujore prej 28,080.00 Euro (bruto)”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
E njëjta shumë paguhet edhe për Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, për shfrytëzimin e 1560 metrave katrorë.
“Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (e cila funksionon në kuadër të MBPZHR-së), paguan qiranë mujore prej 28,080.00 €uro (bruto), për shfrytëzimin e hapësirës prej 1560 m2, në të njëjtin objekt privat me MBPZHR-në”, tregohet tutje në përgjigje.
Kjo e çon totalin e pagesës për qira për të dy institucionet në mbi 1 milion euro për njëzet muaj dhe 56 mijë e 160 euro çdo muaj për hapësirat që shfrytëzojnë. Tutje, nga Ministria e Bujqësisë bëjnë me dije se në Ministrinë e Punëve të Brendshme është dërguar një kërkesë për ndërrimin e lokacionit më 24 maj.
“Me kërkesë të ministrit Faton Peci, me qëllim të kursimit të parasë publike, MPBZHR-ja ka proceduar zyrtarisht kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), përmes së cilës ka kërkuar zhvendosjen e stafit të MBPZHR-së dhe AZHB-së nga ndërtesa në pronësi private në ndërtesë në pronësi shtetërore. Kjo kërkesë drejtuar MPB-së është bërë më datë 24 maj 2021, pasi MPB-ja është përgjegjëse për administratën shtetërore, duke përfshirë edhe menaxhimin e ndërtesave dhe zyrave ku janë të vendosur zyrtarët shtetërorë”.
Por, sipas shkresës, MPB-ja nuk ka hapësira të lira për akomodim të stafit të këtyre institucioneve.
“MPB-ja, në përgjigjen për kërkesën e MBPZHR-së, ka njoftuar se i ka shqyrtuar të gjitha mundësitë, por që të gjitha ndërtesat që menaxhohen nga MPB-ja nuk kanë hapësira të lira për akomodimin e stafit të MBPZHR-së dhe AZHB-së”, kanë thënë nga Zyra për Media e MPBZHR-së.
E, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nuk kanë treguar nëse e kanë shqyrtuar një kërkesë të tillë. Shtojnë se kanë hartuar një plan, por që zbatimi i tij do të zgjasë deri në tre vjet.
“Ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë informatat e nevojshme nga Ministria e Financave në lidhje me pagesën e qirave për akomodim institucional dhe gjithashtu ka përpiluar një draft-plan përmes të cilit do të bashkërenditen veprimet me të gjitha institucionet për të dalë nga qiraja dhe që institucionet të jenë të vendosura nëpër ndërtesat adekuate shtetërore pa pasur nevojë të paguajnë më qira. Periudha kalimtare për zbatimin e këtij plani do të jetë një deri në tre vjet, varësisht prej buxhetit që do të alokohet për meremetimin e ndërtesave”, thuhet në përgjigjet drejtuar KOHËS.
Bazuar në këtë, për qiranë e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë, për tre vjetët e ardhshëm, nga buxheti i shtetit do të largohen edhe mbi dy milionë euro.
Ndërkaq, nga Qeveria bëjnë me dije që synim kanë që institucionet të kalojnë në objektet ku pronar është shteti, e që nëpërmjet MPB-së, siç tregojnë ata, t’i japin fund një praktike të dëmshme të qeverive të kaluara.
“Qeveria jonë është e përkushtuar në racionalizimin e shpenzimeve dhe hapësirave ku janë të vendosura institucionet e saj qeverisëse dhe publike. Në këtë drejtim, jemi duke identifikuar të gjitha hapësirat e shfrytëzueshme që janë pronë shtetërore, në të cilat, sipas një analize paraprake bazuar në kërkesat dhe përshtatshmërinë e tyre, mund të akomodohen institucionet shtetërore. Synimi ynë është që institucionet e shtetit të jenë në objekte ku pronar është shteti. Ministria e Punëve të Brendshme është duke punuar intensivisht në trajtimin e kësaj çështjeje, për t’i dhënë fund një praktike të dëmshme të qeverive të kaluara”, është bërë e ditur nga Zyra për Media e Qeverisë.
Ministria e Bujqësisë dhe AZHB-ja, deri në shtator të vitit 2019, ishin të vendosura në ndërtesën e partive politike (ish-Komiteti), ndërsa vendimi për t’u larguar nga kjo ndërtesë ishte marrë nga ish-Qeveria e Republikës së Kosovës.
KOHA ka raportuar më herët që edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të duhej të kalonte në të njëjtin objekt, por që deri më tani punën e saj kjo ministri e kryen në ndërtesën e ish-Komitetit.
E, zhvendosja nga ish-Komiteti është kërkuar të bëhet me kërkesë të ish-presidentit Hashim Thaçi, nën arsyetimin se pasi të bëhen rinovimet – që pritet të kushtojnë rreth 15 milionë euro – të zhvendoset aty Presidenca nga ndërtesa e Kuvendit ku ndodhet prej dy dekadash.