Një analizë e Odës së Mjekëve ka vënë në pah disa probleme me të cilat ballafaqohen profesionistët shëndetësorë në Kosovë. Stresi, mbingarkesa e kushtet jo të mira të punës janë disa nga faktorët që kanë çuar mjekët drejt lodhjes emocionale apo sindromës ‘Burnout’. Në këtë situatë theksohet nevoja e promovimit të shëndetit mendor.
Mbingarkesa, stresi, kushtet jo të mira në vendin e punës e kufizimet për avancim në karrierë janë disa nga shqetësimet me të cilat përballen mjekët në Kosovë, tregon një hulumtim i realizuar gjatë vitit të kaluar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Anketa e realizuar me 529 mjekë të sektorit publik tregon se 60 për qind e tyre përjetojnë barrë të tepërt të punës, 57 për qind përjetojnë stres dhe djegie profesionale e 46 për qind ndihen të nënvlerësuar si pasojë e mundësive të kufizuara për avancim në karrierë.
Në Odën e Mjekëve thonë se këta faktorë janë ndër arsyet që ndikojnë në largimin e mjekëve nga Kosova e edhe lëshimin e punës nga sektori publik.
“Presioni psikik edhe ndikon në kualitetin e punës. Ju nëse vini në ambulancat specialistike, ju e shihni se çfarë presioni është dhe ajo duhet të rregullohet prej menaxhmentit, si e rregullojnë? Po ata janë menaxherë, janë politikëbërës, ka shumë e shumë modele, shumë e shumë opsione që kjo duhet të rregullohet, nuk merren me ato, por më shumë merren me infrastrukturë dhe kjo është rezultati të cilin e kemi, ku në të vërtetë mjekët më të mirë që i kemi, mbi moshën 55 vjeçare vendosin që të shkojnë në sektorin privat”, ka deklaruar Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve.
Në lodhjen psikike të profesionistëve, sipas kryetarit të Odës, Pleurat Sejdiu, kanë ndikuar referimet e shumta nga spitalet rajonale, angazhimi i tyre edhe në sektorin privat e mungesat e barnave.
“Dështim apo dëshpërim në ushtrimin e profesionit edhe është mungesa e materialeve. Është dalja para pacientit dhe, shko blej këtë, shko blej atë. Ato janë krejt denigruese për mjekun, që mjeku nuk do të duhej të merrej me to, mospuna e ventilimit në sallave, sallat me temperatura të larta, mungesa e ujit të nxehtë për larjen e duarve, po flas tek lëmenjtë kirurgjikalë”, ka shtuar ai.
Sejdiu thekson se më të prekurit nga gjendja e lodhjes emocionale janë kirurgët.
Krahas tyre, në Klinikën e Ortopedisë kanë përmendur edhe anesteziologët, që janë kuadro në mungesë.
Në analizë theksohet nevoja e intervenimit për përmirësim të situatës, duke nisur nga promovimi i shëndetit mendor.
Kryetari i Shoqatës së Psikologëve, Ilir Havolli, thotë se pasojat e kësaj gjendjeje janë të shumta.
“Filluar nga mungesa e dëshirës për të bashkëpunuar me persona të tjerë, pastaj rënia e performancës në punë, nga gabimet evidente në punë dhe në qoftë se kjo gjendje zgjatë, atëherë kemi edhe problematikat e shëndetit, siç është pagjumësia, ankthi e deri tek depresionit”, ka thënë Havolli.
Havolli thekson se për të parandaluar konsumimin e profesionistëve shëndetësorë, gjendje kjo që njihet ndryshe si “Burnout”, është e domosdoshme edhe konsulta me profesionistë të shëndetit mendor.
“Kur këta individë arrijnë t’i përvetësojë teknikat për menaxhimin e stresit, normal që do të arrijnë të menaxhojnë edhe punën dhe nuk do të stresohen dhe nuk do të kalojnë në gjendje të tillë të konsumimit apo të një burnout”, u shpreh ai.
Vitin e kaluar KOHA ka raportuar se nga 37 klinikat e QKUK-së vetëm gjashtë prej tyre kanë të angazhuar psikologë.
Në MSH e as në SHSKUK nuk kanë ofruar përgjigje lidhur me gjetjet e analizës për djegien profesionale të mjekëve.