Arbëri

Mbi 500 qytetarë të pickuar nga rriqrat sivjet në Malishevë, Komuna kritikon Qeverinë për neglizhencë

Rriqrat në Malishevë

Komuna e Malishevës është ankuar se niveli qendror s’e ka mbështetur në luftën ndaj rriqrave, duke kërkuar që të ndodhë spërkatja e kafshëve, në mënyrë që të shmanget mundësia e infektimit.

Avdi Morina, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Malishevë ka deklaruar të hënën se Qeveria e ka neglizhuar këtë problematikë, ndonëse ai tha se në dy vjetët e fundit s’ka pasur qytetarë të infektuar.

“Në bazë të raporteve nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), në Malishevë janë pickuar mbi 500 qytetarë këtë vit, por s’kemi të infektuar. Por, repilimi s’po bëhet e kjo është hallkë e rëndësishme që do ta parandalonte pickimin dhe infektimin. Shifrat s’kanë dallim nga vitet e kaluara, por s’kemi infeksione sivjet të raportuara nga ethet hemorragjike. Ethet janë problem i nivelit nacional dhe e kalojnë atë lokal”, ka thënë Morina në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Morina ka shtuar se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka hapur tenderë për të kryer procedurën e spërkatjes së kafshëve, por kjo tha se ende s’ka ndodhur.

“Zonat endemike nga rreziku prej rriqrave po i trajtojmë, por nëse s’ka spërkatje të kafshëve rreziku është i madh”, theksoi ai.

Zyrtari i Komunës ka bërë me dije se ndër vite 18 qytetarë kishin humbur jetën nga rriqrat.