Pesë orë kanë zgjatur diskutimet në Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të hënën. Pas mbledhjes, të parës që nga mbajtja e zgjedhjeve më 9 shkurt, kryetari Lumir Abdixhiku ka thënë se do t`i ruajnë pozicionet që kanë pasur para procesit zgjedhor. Ai ka përjashtuar bashkëpunimin me LVV-në, ndërsa ka kushtëzuar atë me partitë e tjera me postin e kryeministrit. Në lidhje me keqpërdorimet e mundshme të votave mes kandidatëve të LDK-së, Abdixhiku ka inkurajuar që ata t’u drejtohen organeve përkatëse
Lidhja Demokratike e Kosovës ka hedhur poshtë çdo mundësi të bashkëpunimit eventual me Lëvizjen Vetëvendosje, për formimin e Qeverisë. Në konferencë për media, pas mbledhjes pesorëshe të kryesisë së partisë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se do t`u qëndrojnë prapa qëndrimeve paraelektorale.
Krahas mosbashkëpunimit me partinë që ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, Abdixhiku ka theksuar se nuk do të jenë pjesë e ndonjë ekzekutivi nëse nuk e drejtojnë atë, se nuk janë për qeveri afatshkurtër e se do të presin konsumimin e mundësive kushtetuese që ka partia fituese.
“Nuk kemi pasur asnjë takim me asnjë prej partive politike në Kosovë sidomos nuk kemi pasur takim me partinë në pushtet. LDK e ka të qartë pozicionin e saj politik karshi LVV-së. Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për një bashkëpunim me ta. LDK nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë tani dhe po ashtu kemi thënë që LDK nuk synon dhe nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër. Pra pa zgjidhjen e çështjes bazike të presidentit që përcakton zgjedhjet e ardhshme nacionale të Kosovës, LDK nuk beson që do të ketë stabilitet qeveritar dhe për qeveri afatshkurtër nuk është e interesuar fare”, ka thënë ai.
Sipas Abdixhikut, pas veprimeve të partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, do të shpalosin edhe qëndrimet përkitazi me zhvillimet.
“Sipas rregullimit kushtetues ju e dini se së pari duhet të caktojë emrin dhe kandidatin për kryetar të Kuvendi pas të cilit emër dhe votim edhe të kryesisë nisin afatet demokratike në Republikën e Kosovës. Do të presim veprimet e të parit, pas këtyre veprime do të kemi pozicione të tjera të LDK-së, por ju garantoj që qëndrimet e tona paraelektorale do të jenë qëndrime paselektorale. Të mësohemi me respektimin e fjalëve të dhëna publikisht. S`ka gjë, s`ka skenar dhe s`ka rrjedh që e ndryshon pozicionin e LDK-së”.
Ditë më parë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se janë në komunikim me partitë e tjera në lidhje me bashkëpunimin eventual mes tyre.
Por, kryetari Abdixhiku ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se komunikimet e vetme që kanë pasur me partitë e tjera janë ato për të shkëmbyer urimet në lidhje me rezultatet.
“Unë dhe askush nga njerëzit e autorizuar të LDK-së nuk ka pasur kontakt me asnjërën prej partive politike në nivel të komunikimit zyrtar... S`mund të mblidhen të tjerët për të konsumuar një afat që nuk ju takon. Edhe po të mblidhen, edhe po të takohen i takon prapë të parit që të nisë këtë proces”, ka thënë ai.
Nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 171 mijë e 249 vota, apo ka siguruar 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në mbledhjen e kryesisë, është vlerësuar se ky rezultat është rezultat me rritje.
“Është një rritje e mbarë dhe e mirë dhe i jep stabilitet politik LDK-së për të vazhduar reformat e mëtutjeshme dhe për të vazhduar ndryshimin e domosdoshëm që LDK do ta ketë”, ka thënë ai.
Në mbledhje, siç tha Abdixhiku, është diskutuar edhe për performancën e secilës prej degëve të LDK-së në Kosovë e mërgatë.
Të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka nisur me rinumërimin e 35 vendvotimeve nga 96 sa kanë qenë gjithsej në Vushtrri, pas ankesave të kandidatëve për deputetë të LDK-së nga kjo komunë e akuzave të tyre për manipulime të votave nga vet kolegët e partisë.
Pa u ndalur në dyshimet e kandidatëve të LDK-së, Abdixhiku ka inkurajuar të gjithë ata që shqetësimet e dyshimet që kanë t`i adresojnë në institucionet përgjegjëse. “Mbështesim secilin hetim të institucioneve të Kosovës. Ruajtja e votës, ruajtja e votës së brendshme, ruajtja e votës ndërpartiake është gjëja më e shenjtë”, ka thënë ai.
E në lidhje me dyshimet për keqpërdorime të votave me postë, Abdixhiku ka thënë se nuk mund të hidhet poshtë i gjithë procesi.
“LDK-ja është e dëshpëruar që nuk ka arritur të marrë 40 mijë vota siç ka projektuar më parë për shkak të punës së madhe brenda katër vjetëve të kaluar. Por për çdo ankesë janë institucionet përkatëse. Nuk mund të pretendojmë rrënim të procesit zgjedhor vetëm se është rrit LDK-ja, nuk mund të pretendojmë zhvlerësim të votave të mërgatës për një kandidat të mërgatës vetëm se partia në pushtet nuk i ka marrë 51mandate siç ka pretenduar”, ka thënë Abdixhiku.
Formimit të institucioneve të reja duhet t’i paraprijë certifikimi i rezultatit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Brenda 30 ditësh nga certifikimi, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, atëherë presidentja duhet të kërkojë nga partia fituese që të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.