Katedralja “Nënë Terezë” shumë shpejt nuk do ta ketë pamjen që ka sot. Kjo pasi do t’i shtohet edhe një kambanë tjetër.
E edhe pse ka 13 vjet që prej kur është inauguruar, si duket punimet në të nuk kishin përfunduar në atë kohë.
Sipas famullitarit të katedrales, Don Agim Çerkinit, për shkak të mungesës financiare është bërë edhe shtyrja e ndërtimit të kambanës së dytë.
“Më përpara nuk është përfunduar më herët për shkak të mungesës financiare. Objekti i katedrales është projekt madhor. Në vazhdën e punimeve të papërfunduara të kishës është edhe kambana e dytë, e cila është pjesë e projektit që prej fillimit. Dikur kanë qenë lokalet aty, çështjet kanë qenë pronësore. Mirëpo tanimë ajo është çështje e zgjidhur”.
Kontribut për ndërtimin e kambanës kanë dhënë edhe besimtarët e feve të tjera në Kosovë, përveç asaj të krishterë.
Ku së bashku arritën që të mbledhin mbi 400 mijë euro, aq sa do të kushtojë kambana e re.
“Janë besimtarët që e kanë financuar këtë ndërtim. Jo vetëm besimtarët katolikë, por edhe të feve të tjera kanë kontribuuar, që kanë qenë njerëz vullnet mirë. Përveç kësaj, edhe shkallët e kishës siç mundeni t’i shihni që duhet të rregullohen. Ka edhe gjëra të tjera që duhet të investohet. Si projekt ka kushtuar mbi 400 mijë euro”.
E gatishmërinë në investim e besimtarëve të feve të tjera e kanë përshëndetur edhe katolikët e kryeqytetit.
Këmbora pritet që të jetë gati në shërbim të qytetarëve në përvjetorin e lindjes së shenjëtares Nëna Terezë, më 5 shtator.