Arbëri

Mbi 400 infermierë për 7 muaj u larguan nga Kosova, kërkohet reagimi i institucioneve

Këtë vit është dyfishuar numri i infermierëve që po kërkojnë punë jashtë Kosovës. Oda e Infermiereve ka treguar se vetëm në 7-mujorin e këtij viti mbi 400 infermierë kanë marrë rrugën për në shtete evropiane. Nga ky institucion kërkojnë reagim urgjent nga Ministria e Shëndetësisë

Rreth 400 infermierë janë larguar nga Kosova për në Perëndim nga janari i këtij viti e deri më tash.

Në Odën e Infermierëve të Kosovës thonë se ky numër është në rritje vazhdimisht dhe se kjo çështje duhet të jetë prioritet për institucionet përgjegjëse, për shkak të rrezikut që mund të shkaktohet në shëndetësi.

“Kjo shifër mund të them se qindra herë është më e madhe se njerëzit ikin në forma të ndryshme me kontrata të ndryshme qoftë të kolegjeve apo institucioneve të tjera dhe nuk e di nëse Ministria e Shëndetësisë apo mendon që këtë rini që e kemi të shkëlqyeshme mbas 4-5 vjetësh do të mbetet pa infermierë. Shumë është e rritur, bile mund të them se këtë vit është 100% e rritur, kjo është shifër minimale sa i përket kësaj evidence, mirëpo po ikin infermierë çdo ditë”, ka thënë Naser Rrustemaj, kryetar i Odës së Infermierëve të Kosovës.

Ai tregon se paga e ulët e kushtet jo të mira janë ndër arsyet që ata po marrin rrugë jashtë Kosovës.

“Më brengosëse është ajo se infermierët me përvojë 20 vjet sot detyrohen ta lëshojnë vendin e punës për një pagë më të dinjitetshme, për kushte jo të mira të punës, për ndërresat e natës”, shtoi ai.

Mungesë të stafit shëndetësor, e kryesisht të infermierëve, ka edhe në Klinikën Emergjente në QKUK, ku brenda një ndërrese trajtohen mbi 300 raste.

Naser Syla, drejtor i kësaj klinike, ka treguar se në dy vjetët e fundit nga aty janë larguar 6 infermierë dhe nga 33 specializantë në mjekësinë emergjente, 14 janë larguar në shtete të tjera jashtë Kosovës. Sipas tij, ky numër është minimal për fluksin e pacientëve që kanë.

Në një përgjigje me shkrim nga Shërbimi Spitalor e Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) kanë thënë se mungesa e stafit shëndetësor, e infermierëve, QKUK-në e ka përcjellë ndër vite dhe se menaxhmenti i ri është në fazën e analizimit të gjendjes.

“Mungesa e stafit/ infermierëve e ka përcjellë ndër vite QKUK-në. Menaxhmenti i emëruar së fundmi është në fazën e analizës së gjendjes nëpër klinikat e QKUK-së, ku mes tjerash, po analizohet numri i infermierëve aktualë dhe shpërndarja e tyre. Pas fazës së analizës, do të ketë një riorganizim të stafit të infermierëve, përkatësisht shpërndarjes më të mirë të tyre sipas klinikave dhe shërbimeve që kryhen. Pas dy fazave që cekëm më lart, brenda mundësive buxhetore do të shikohet mundësia që të procedohet me konkurs për plotësim të vendeve të lira. Viteve të fundit ka pasur shtim të numrit të shërbimeve shëndetësore dhe kjo e ka rritur edhe më tutje kërkesën për infermierë/e shtesë”, thuhet në përgjigje.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se institucionet kanë kërkesa të ndryshme rreth stafit dhe se, sipas ligjeve, ato kanë mandat të bëjnë rekrutimin e stafit sipas mundësive buxhetore.

Por, nga ky institucion nuk janë përgjigjur nëse kanë ndonjë zgjidhje konkrete edhe për alarmimet e paralajmërimet se në të ardhmen do të mund të ketë ndërprerje shërbimesh si shkak i mungesës së stafit.

“Institucionet kanë kërkesa të ndryshme rreth stafit. Sipas ligjeve aktuale në fuqi, institucionet e kujdesit shëndetësor kanë mandat që të bëjnë vetë rekrutime sipas mundësive buxhetore që i kanë, gjithashtu edhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës. Ministria e Shëndetësisë ndërkaq ka mbështetur me staf shtesë si mjekë, infermierë dhe staf mbështetës shërbimet shëndetësore në institucione të ndryshme dhe po ashtu edhe procesin e vaksinimit kundër COVID-19. Ka disa shërbime shëndetësore që kanë ngarkesë më të madhe, por për nga rëndësia të gjitha shërbimet shëndetësore janë të rëndësishme njësoj”, thuhet në përgjigje.

KOHA ditë më parë ka raportuar për shqetësimet e ngritura nga drejtorët e spitaleve rajonale, për mungesë të stafit shëndetësor, si shkak i ikjes së tyre jashtë vendit dhe largimit nga institucionet shëndetësore publike në ato private.

Edhe ish-drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, e Oda e Mjekëve, kanë ngritur shqetësime lidhur me krizën si pasojë e mungesës së stafit shëndetësor në Kosovë.