Policia e Kosovës njoftoi se gjatë periudhës janar-shkurt kanë shtuar angazhimet për rritjen e sigurisë rrugore, duke bërë që të shqiptohen 31.110 masa administrative të të gjitha llojeve.
Sipas njoftimit, 2.487 masa janë shqiptuar për kundërvajtje në trafikun rrugor, duke përfshirë shqiptimin e pikëve negative ndaj ngasësve. Në 489 raste janë shqiptuar masa të ndalimit nga tre deri në nëntë muaj, derisa 704 raste janë shqiptuar masa për gjykatë.
Autoritetet policore bënë thirrje për kujdes në ngasje.
“Prishtinë 06 mars 2025 - Policia e rajonit të Prishtinës përgjatë muajit Janar dhe Shkurt ka shtuar angazhimin e saj të vazhdueshëm për rritjen e sigurisë rrugore. Gjatë kësaj periudhe janë kryer patrullime të shtuara dhe janë ndërmarrë operacione trafiku që në shënjestër kanë pasur zonat me kundërvajtje më të shprehura si dhe kundërvajtjet që kanë cenuar sigurinë rrugore. Në kontekstin e kësaj për periudhën e sipër cekur janë shqiptuar gjithsej 31.110 masa administrative të të gjitha llojeve”, thuhet në njoftimin policor të enjten.