Arbëri

Mbi 300 nxënës të dalluar të kryeqytetit garuan në tetë lëndë

Mbi 300 nxënës nga 40 shkolla të kryeqytetit iu nënshtruan një testimi, në kuadër të garave të diturisë. Ata iu përgjigjën tridhjetë pyetjeve nga lëndët në të cilat kanë treguar shkathtësi gjatë vitit shkollor. Nga ky testim, si nxënësit ashtu edhe organizatorët shprehën pritje të larta, teksa garat u vlerësuan si instrument i rëndësishëm për cilësi e rangim të shkollave

Ani se ditë vikendi, një numër nxënësish nga Prishtina edhe të shtunën u ulën në bankat shkollore. 

Kësaj radhe jo për nxënie të dijes, por për t’iu nënshtruar testimit për njohuritë e fituara në tetë lëndë mësimore.

Mbi 300 nxënës të klasave të nënta nga 40 shkolla fillore të kryeqytetit patën gati dy orë kohë për t’u përgjigjur në tridhjetë pyetje.

Disa prej tyre shprehën pritshmëri të larta nga testimi.

“Kam qenë e përcaktuar në lëndën e gjeografisë. Garat kanë shkuar shumë mirë, pyetjet kanë qenë shumë të lehta”, ka thënë Anita Januzi, nxënëse në shkollën “Ali Kelmendi” në Barilevë. “Datën të cilën e kemi marrë vesh për mbajtjen e garave ka qenë këtë javë, mirëpo paraprakisht e kemi ditë që ka me u mbajtë në maj, kështu që kemi bërë përgatitje. Ka pasë shpjegime, që mendoj që kam me pasë arritje”.

I përgatitur për testin ka thënë se ishte edhe Yll Aliu, nxënës në shkollën “Asim Vokshi”.

“Gjithsej kanë qenë 30 pyetje. Të gjitha në lëndën e anglishtes. Varet nga mësimet, por ka shkuar mirë”, ka thënë ai. “Për këto pyetje jemi përgatitur gjatë tërë vitit dhe shpresoj që kanë me qenë rezultatet e mira”.

Fahrije Retkoceri, drejtoreshë e Gjimnazit të specializuar matematikor, ku u mbajtën garat, tregoi se për t’iu nënshtruar testimit, shkollat zgjedhin nga tetë nxënës që kanë shënuar suksese në lëndët shoqëroro-gjuhësore dhe ato natyrore.

“Në momentin që zgjidhen nxënësit, afrohet rrethi i ngushtë dhe kështu vjen deri te një nxënës që duhet të dërgohet në gara në nivel komune. Domethënë, fillon prej nivelit të shkollës dhe kalon në nivel komune”, ka treguar ajo.

E, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se gara shërben për të identifikuar nxënësit më të mirë të kryeqytetit, që më pas do të mund të marrin pjesë edhe në gara ndërkombëtare.

“Do të zgjidhen normalisht më të mirët e të gjitha shkollave dhe për të cilët do të ndahen edhe disa shpërblime simbolike. E veçanta është se ka pasur një aktivitet të shtuar dhe një interesim të madh të shkollave për të marrë pjesë në këto gara dhe kjo është një tendencë e Komunës për të treguar që vlerëson cilësinë dhe rangimin e shkollave”, ka theksuar Lushaku.

Rezultatet e testimit, që është i përvitshëm, pritet të publikohen në fillim të javës së ardhshme.