Identifikimi i mbi 300 mbetjeve mortore – në mesin e të cilave ka edhe persona të vrarë në luftën e fundit në Kosovë – vazhdon të jetë sfidë teksa këtë vit ka nisur edhe selektimi i tyre. Së shpejti nisin gërmimet në disa pjesë të Kosovës, ku dyshohet për varreza masive
Në mesin e 16 frigoriferëve që gjenden në katin e parë në Institutin e Mjekësisë Ligjore vazhdojnë të zënë vend mbetje mortore. Të pakta nuk janë eshtrat e personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë, e që ende janë të paidentifikuara.
Por, tashmë ka nisur selektimi i mbi 300 mbetjeve mortore, për të parë se sa prej tyre i përkasin luftës së fundit, e sa janë të periudhave të tjera.
Ditor Haliti, tash e dhjetë vjet punon antropolog në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe ka thënë se ky proces pritet të zgjasë deri në dy vjet. Ai ka shtuar se ndarja e tyre do të ndihmojë shumë në procesin e zbardhjes së të zhdukurve, pasi që presin që me identifikimin e tyre të bëhet edhe ribashkimi i eshtrave.
“Ne duke filluar prej këtij viti kemi nisur një proces të rishikimit të mbetjeve mortore, të cilat gjenden në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore, pikërisht me qëllim që ta qartësojmë statusin dhe numrin e saktë të mbetjeve mortore që ndodhen në IHL, dhe të shohim a kemi mundësi që të kemi identifikime të reja. Sipas vlerësimeve preliminare, ne mendojmë se pasi të përfundojë rishikimi i serishëm i morgut, do të kemi identifikime të reja”, ka thënë ai.
Haliti ka thënë se pasi të përfundojë verifikimi i tyre, do të vendoset se çka do të ndodhë me mbetjet, por që ato që i përkasin luftës do të vazhdojnë të ruhen në morgun e Institutit.
“Ne duhet ta marrim një vendim në të ardhmen, pasi që ta përcaktojmë statusin e secilës mbetje individuale, atëherë do t’i ndajmë kategoritë e ndryshme, në ato të cilat janë me interes mjekoligjor dhe ato të cilat nuk janë me interes mjekoligjor, natyrisht ato që nuk janë me interes mjekoligjor, që janë të vjetra, eshtra që nuk i takojnë periudhës së luftës, atëherë duhet që së bashku me autoritetet komunale duhet t’ju gjendet një vend të varrosen”, ka thënë ai.
Sfiduese këtë proces edhe më tutje po e shohin edhe nga Komisioni qeveritar për të zhdukurit, teksa kanë thënë se identifikimi i tyre duhet të bëhet sa më shpejt.
Nga mbi 1 mijë persona sa janë ende të zhdukur, edhe më tutje për 68 prej tyre familjarët nuk kanë dhënë gjak për arsye të ndryshme. Për këto çështje ka folur Kushtrim Gara, pjesë e Komisionit qeveritar për personat e zhdukur. “Në raste të caktuara po flasim edhe për raste të familjeve që është më shumë se një anëtar i familjes i zhdukur, që do të thotë ka edhe mungesë të anëtarëve, në lidhje të afërt biologjike për të cilët do të mund të siguronim mostra”, ka thënë ai.
Çështja e personave të pagjetur, deri vonë nuk u diskutua as në bisedimet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nga viti 2011.
Por, kjo çështje u vendos në tavolinën e bisedimeve viteve të fundit, por pa ndonjë rezultat, teksa familjarët e të zhdukurve vazhdojnë të shprehen të pakënaqur në lidhje me qasjen e Qeverisë së Kosovës dhe mosadresimin e çështjes së të zhdukurve.
Kushtrim Gara ka thënë se së shpejti pritet që të fillojnë gërmime në disa pjesë të Kosovës.
“Gjatë këtyre muajve në territorin e Republikës së Kosovës janë të paktën gjashtë lokacione në të cilat janë në procedura në kuptimin e gërmimit vlerësues, ka edhe disa lokacione për të cilat janë siguruar urdhëresat dhe po trajtohen me shumë prioritet, sfiduese mbesin lokacionet në territorin e Serbisë, për shkak të qasjes apo politizimit të vazhdueshëm që Serbia po i bën ndriçimit të fatit të personave të zhdukur”, ka thënë ai. Gjatë muajit maj në kërkim të varreve masive është gërmuar në afërsi të minierës në Shtaval, në territorin e Serbisë, punime që u ndërprenë nga Komisioni i shtetit serb, duke mohuar se aty janë varrosur të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Veljko Odaloviq, kryetar i Komisionit të Serbisë për persona të pagjetur, pati deklaruar se pas disa ditë kërkimesh nuk janë gjetur mbetje në Shtaval, afër Sijenicës.
“Kemi punuar në këtë lokacion për 13 ditë pune, janë verifikuar mbi 7.000 materiale dhe ajo që ka rëndësi, është që s’është gjetur asnjë mbetje në këtë lokacion”, kishte thënë Odaloviq, kishin cituar mediat serbe.
Duke thënë se në Serbi “s’ka pasur pengesa në asnjërën kërkesë për hulumtime”, Odaloviq kishte thënë se pret që “edhe Prishtina të punojë njësoj”. Ai po ashtu kishte kërkuar të hapen arkivat e NATO-s, KFOR-it dhe EULEX-it dhe organizatave të tjera ndërkombëtare të përfshira në luftën në Kosovë.
Gjatë vitit 2021, institucionet e Kosovës në bashkëpunim me ato serbe dhe misionin EULEX kryen gërmime në 9 lokacione të ndryshme në Kosovë dhe në Serbi, të cilat rezultuan me gjetjen e eshtrave të 24 personave që më pas iu dorëzuan familjarëve të tyre.
Edhe pas 23 vjetësh nga lufta, në Kosovë rezultojnë ende të zhdukur nga mbi 1 mijë e 600 persona.