Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga një korriku deri më 3 gusht përmes pikave kufitare kanë kaluar mbi 1 milion e 800 mijë persona, e përmes Aeroportit mbi 200 mijë të tjerë. Numrin më të madh të të ardhurve e përbëjnë mërgimtarët. Ekonomistë dhe qytetarë një fluks të këtillë e shohin si “infuzion” për ekonominë e Kosovës
Mbi 2 milionë persona kanë hyrë në Kosovë nga 1 korriku deri më 3 gusht, ka konfirmuar Policia e Kosovës të enjten. Sipas saj, gjatë kësaj periudhe përmes pikave kufitare kanë kaluar mbi 1 milion e 800 mijë persona, e përmes Aeroportit mbi 200 mijë të tjerë.
Numrin më të madh të të ardhurve e përbëjnë mërgimtarët, të cilët zgjedhin Kosovën për pushime të verës.
Ardhja e tyre në këta muaj të verës, sipas ekonomistëve, pritet që ta ringjallë ekonominë e vendit, pavarësisht rritjes së çmimeve.
Erton Bega, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se ndikimi më i madhe do të jetë tek bizneset.
“Ardhja e tyre për bizneset e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse rritet qarkullimi, rritet shitja në biznese, e për rrjedhojë rritet edhe punësimi. Pra, roli i tyre është i pazëvendësueshëm për ekonominë tonë, kur dihet se ne kemi një ekonomi që është e bazuar në importe të mallrave dhe është diaspora ajo që bie para”, ka thënë Bega, sipas të cilit institucionet duhet të punojnë më shumë në rritjen e interesimit për bashkatdhetarët për ta vizituar Kosovën.
Por, sipas përfaqësuesve të Shoqatës së gastronomisë, rritja e çmimeve në Kosovë e në shtete të tjera ka bërë që konsumi të ulet, pavarësisht ardhjes së mërgatës.
Arian Vrainca, përfaqësues i kësaj shoqate, thotë se krahasuar me vitet e kaluara ka rënë kërkesa për konsum.
“Nuk është e njëjta kërkesë si ka qenë më herët, sepse kemi ulje të nivelit të konsumit, kemi rritje të inflacionit që është pasqyruar me rritje të çmimeve. Po vërehet se diaspora nuk e ka një fuqi blerëse siç e ka pasur në të kaluarën”, ka thënë Vrainca.
Megjithatë, në këtë shoqatë kanë shprehur pritjen që kjo të ndryshojë në ditët në vazhdim, për shkak edhe të festivaleve që pritet të mbahen në kryeqytet e në qytete të tjera.
“Natyrisht se do ndikojë organizimi i eventeve dhe i festivaleve, siç janë ‘Sunny Hill’ dhe ‘Manifesta’ që ka filluar dhe vazhdon edhe 4 muaj, që do mbahet dhe presim që do të ndikojë në këndelljen dhe në vazhdimin më të gjatë të kërkesës së konsumit, në shfrytëzimin e gastronomisë”, ka thënë Vrainca.
Të rëndësishme për ekonominë e vendit diasporën e konsiderojnë edhe qytetarët.
“Janë shumë të rëndësishëm. Po na ndihmojnë, edhe na kanë shpëtu”, është shprehur njëri nga ta.
Të tjerë thonë se çmimet në Kosovë janë bërë të papërballueshme dhe, me ardhjen e tyre, presin infuzion financiar për ekonominë.
“Po diaspora mos me qenë, krejt dekt. Si të vijnë këta ngjallet vendi”, ka thënë një tjetër qytetar. “Rritja e çmimeve këtu është në hava. Mbaruan shqiptarët. Mos me qenë diaspora, këtu s’di çka....”.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, mbi 548 milionë euro remitenca kanë dërguar bashkatdhetarë në Kosovë, në 6-mujorin e parë të këtij viti.