Arbëri

Mbi 16.5 milionë euro kushtuan proceset zgjedhore në pesë vjetët e fundit

Mbajtja edhe e një palë zgjedhjeve të parakohshme është paralajmëruar nga pushteti e opozita. Derisa diskutimet për mbajtjen e tyre janë duke u zhvilluar, ato pritet të jenë zgjedhjet e treta me radhë të parakohshme të mbajtura në Kosovë që nga fundi i 2019-s. E derisa kostoja e organizimit të të gjitha proceseve në pesë vjetet e fundit kalon shumën prej 16.5 milionë eurosh, mospërfundimi i mandatit të plotë është duke u konsideruar i dëmshëm

Mbi 16.5 milionë euro i kanë kushtuar zgjedhjet buxhetit të Kosovës në më pak se pesë vjetët e fundit.

Që nga tetori i 2019-s janë organizuar dy palë zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, një palë zgjedhje lokale e dy procese të jashtëzakonshme votimi në veri.

Nga të gjitha këto zgjedhje që janë mbajtur, vetëm ato lokale të vitit 2021 kanë qenë të rregullta.

Të tjerat janë mbajtur kryesisht për shkak të dorëheqjes e shkarkimit të kryeministrit, derisa në veri pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave, e këtë vit për herë të parë pati edhe votime për shkarkimin e tyre.

Për zgjedhjet për Kuvend (tetor 2019) u shpenzuan 5.176.295 euro, për zgjedhjet për Kuvend (shkurt 2021) u shpenzuan 4.469.764 euro, për zgjedhjet lokale (tetor 2021) u shpenzuan 6.467.352 euro, për zgjedhjet lokale në veri (prill 2023) u shpenzuan 141.938 euro dhe për votimin për shkarkim të kryetarëve në veri (prill 2024) u shpenzuan  252 mijë euro. Në total: 16 milionë e 507 mijë e 349 euro.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këto të dhëna, vetëm ato të procesit të votimit të zhvilluar një muaj më parë nuk janë përfundimtare.

“Për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, buxheti i planifikuar ka qenë në shumën e 252 mijë eurove. Ende nuk e kemi koston përfundimtare, pasi aktualisht jemi në fazën e kryerjes së detyrimeve, pra pagesat e stafit të angazhuar dhe të tjera”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në shoqërinë civile, mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme e konsiderojnë të dëmshme për demokracinë e shoqërinë në Kosovë.

Sipas Viona Bunjakut, hulumtuese në Lëvizjen FOL, shkaku i zgjedhjeve të shpeshta, në gjysmë janë duke mbetur procese e projekte të nisura nga secili ekzekutiv e legjislativ.

Ajo ka thënë se për zgjedhje të rregullta mungon vullneti i partive politike.

“Ne jemi duke parë projekte kapitale të cilat nuk kanë arritur të përfundohen ende brenda këtij mandati dhe normalisht që kjo nuk është diçka e mirë që qytetarët duhet të shohin, për shkak se duhet të presim deri të përfundohet një mandat i plotë e pastaj të mbajmë zgjedhje. Kjo normalisht që shkakton implikime buxhetore dhe normalisht organizimi i zgjedhjeve do kohë edhe qytetarët duhet të mësohen tashmë që zgjedhjet duhet të mbahen ashtu siç është e përcaktuar ne Kushtetutë”, ka thënë Bunjaku.

Tetë muaj larg nga përfundimi i mandatit katërvjeçar të udhëheqësisë aktuale, pushtet e opozitë janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës kanë rënë dakord edhe për formën e çuarjes së vendit në zgjedhje, përmes shpërndarjes së Kuvendit.