Arbëri

Mbi 160 kërkesa të kompanive minerare, tash një vit s’ka kush i shqyrton

Konkursi për anëtarë të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale ishte shpallur më 30 korrik të vitit 2020. I gjithë procesi i rekrutimit ka përfunduar në dhjetor të atij viti. Por, në gusht bëhet një vit prej se KPMM-ja s’ka bord. Kanë mbetur pa u shqyrtuar 161 kërkesa të kompanive, pre të cilave 103 janë kërkesa për licenca të hulumtimit, 30 për licenca të shfrytëzimit e 28 kërkesa për leje për aktivitet të veçantë

Për gati një vit, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka mbetur pa Bord. Prej gushtit të vitit të kaluar kur anëtarëve të bordit drejtuar u ka skaduar mandati, nuk është shqyrtuar asnjë kërkesë për licencim, vazhdim licence apo leje për aktivitet të veçantë të kompanive të sektorit minerar.

Gjithsej, sipas KPMM-së, kanë mbetur pa u shqyrtuar 161 kërkesa të kompanive. 103 janë kërkesa për licenca të hulumtimit, 30 për licenca të shfrytëzimit e 28 kërkesa për leje për aktivitet të veçantë.

Sipas këtij institucioni, po shkaktohen vështirësi të mëdha te vetë ata e po ashtu edhe te kompanitë e këtij sektori.

“Nga pamundësia e licencimit të ndërmarrjeve që aplikojnë për licencim, problemet më të mëdha krijohen te ndërmarrjet që kanë licenca, ndërsa nuk mund t’u vazhdohet afati, duke pasuar parasysh që secila prej tyre ka të punësuar dhe ka obligime. Probleme u shkaktohen edhe atyre që u skadojnë licencat dhe të cilat janë për mbyllje”, bëhet e ditur në përgjigjen e këtij institucioni.

Konkursi për anëtarë të Bordit të këtij komisioni ishte shpallur më 30 korrik të vitit 2020. I gjithë procesi i rekrutimit ka përfunduar në dhjetor të atij viti.

Ambasada e Britanisë së Madhe që e ka mbikëqyrur këtë proces ka dhënë 11 kandidatë të përshtatshëm. Mirëpo, nga kjo ambasadë kanë kërkuar që Qeveria Kurti të bëjë emërimin e Bordit të KPMM-së.

“Pas rrëzimit të Qeverisë Hoti, Ambasada ka kërkuar nga kryeministri në detyrë Hoti që emërimi për anëtarë të KPMM-së të bëhet nga institucionet e dala nga zgjedhjet, cilado që janë ato, gjë që është pranuar. Çështja lidhur me emërimin e kandidatëve, tani është në dorën e institucioneve të Kosovës. Ne natyrisht se i inkurajojmë institucionet të emërojnë vetëm kandidatët që kanë përmbushur kriteret dhe kanë dalë më të suksesshmit në procesin rekrutues”, thuhet në përgjigje.

Kandidatët e dalë nga ky proces, me miratim të Ambasadës së Britanisë janë: Ibrahim Krasniqi, Kreshnik Rugova, Skender Sallahu, Ibush Luzha, Bujar Hasimi, Bekim Troni, Festim Kutllovci, Xhavit Raci, Sali Mulaj, Burim Fetaj dhe Bali Thaqi.

E kur kanë kaluar gjashtë muaj që nga përfundimi i procesit të rekrutimit e tre muaj qëkur në krye të ekzekutivit është një subjekt tjetër, KPMM-ja ende vazhdon të jetë pa Bord.

Për këtë, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, tregon se ka dorëzuar në Qeveri një shkresë që kërkon sqarime për vonesat në emërimin e Bordit të Komisionit për Miniera dhe Minerale.

“Nëse e marrim konkursin e kaluar, juridikisht tashmë i ka skaduar çdo afat ligjor, që nënkupton se Qeveria është para dilemës që ta procedojë konkursin e vjetër apo duhet ta rikthejë. Ende nuk kemi asnjë vendim të Qeverisë për këtë situatë”, ka thënë Shala.

Pavarësisht kësaj dhe pyetjeve të dërguara në adresë të Zyrës së Kryeministrit, ende nuk dihet se çka do të veprohet në drejtim të emërimit të Bordit drejtues të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

© KOHA Ditore

Folegjenda: “Nga pamundësia e licencimit të ndërmarrjeve që aplikojnë për licencim, problemet më të mëdha krijohen te ndërmarrjet që kanë licenca, ndërsa nuk mund t’u vazhdohet afati, duke pasuar parasysh që secila prej tyre ka të punësuar dhe ka obligime. Probleme u shkaktohen edhe atyre që u skadojnë licencat dhe të cilat janë për mbyllje”, thuhet në përgjigjen e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale