Rreth 100 vëzhgues do të jenë pjesë e misionit të BE-së që do të monitorojë procesin e votimit më 9 shkurt. Në nisje të detyrës, shefja e këtij misioni, Nathalie Loiseau, bëri të ditur se ekipi do ta bëjë vlerësimin nëse procesi është në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet dhe me standardet ndërkombëtare. E dy muaj pas kësaj, do të përpilojë edhe raport me rekomandime për zgjedhjet e ardhshme
Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian e ka nisur të shtunën punën në funksion të monitorimit të zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen më 9 shkurt.
Shefja e këtij misioni, Nathalie Loiseau, në një konferencë shtypi bëri të ditur se do të jenë 100 vëzhgues që do ta përcjellin mbarëvajtjen e procesit nga terreni.
Sipas saj, synimi i vëzhgimit është vlerësimi se si procesi zgjedhor do të përputhet me Ligjin për Zgjedhjet e edhe me standardet ndërkombëtare.
“Do të vëzhgojmë, do të vlerësojmë dhe nëse është e nevojshme nuk do të hezitojmë të vëmë në pah çfarëdo hapësirë për përmirësim në pjesët ku do të observojmë. Misioni do t’i vlerësojë të gjitha aspektet në të gjitha fazat e procesit zgjedhor”, ka thënë ajo.
Loiuse, që është edhe deputete nga Franca në Parlamentin Evropian, e theksoi rëndësinë që zgjedhjet e kanë për Kosovën.
“Në secilën demokraci, përfshirë vendin tim dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ka gjithmonë hapësirë për përmirësime. Po jetojmë në një kohë ku demokracitë po vihen në pikëpyetje, ndonjëherë po rrezikohen, globalisht. Pra, rëndësia e të pasurit të një demokracie të gjallë në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më e madhe”, ka thënë ajo.
Shefja e këtij misioni vëzhgues theksoi se në mision janë të përfshirë 18 shtete dhe se vëzhgues do të vendosen në të gjitha komunat e Kosovës.
“Pak para ditës së zgjedhjeve misioni do të përforcohet me 36 vëzhgues afatshkurtër, një delegacion me 7 anëtarë të Parlamentit Evropian dhe deri në 36 diplomatë nga shtetet anëtarë të BE-së, por edhe nga Kanada, Zvicra dhe Norvegjia”, ka bërë të ditur ajo.
Loiseau tha se ky mision, i cili do të qëndrojë në Kosovë deri në fund të zgjedhjeve, do të përpilojë më pas raport gjithëpërfshirës, që do të përfshijë edhe rekomandime për zgjedhjet e ardhshme.