I bllokuar mbetet gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt, për shkak se Oda e Avokatëve vazhdon të mos lëshojë pe edhe pas vendimit të Qeverisë. Këtë të mërkurë është mbajtur seanca e radhës, në të cilën u dënua sërish me 250 euro avokati i Shaban Gogajt, për zvarritje të procesit. Gjyqtarja ka thënë se do vazhdojë edhe më tutje të kërkojë avokat për të akuzuarin për vrasje të rëndë, e se do t’u drejtohet të gjitha institucioneve të Kosovës.
Për të tretën herë brenda dy muajve, Gjykata Themelore në Pejë e ka gjobitur me 250 euro avokatin e Shaban Gogajt, Gëzim Kollçakun.
Pas shumë polemikave mes Gjykatës së Pejës e Odës së Avokatëve, Kollçaku nga trupi gjykues ishte caktuar avokat mbrojtës i të akuzuarit Gogaj, sipas detyrës zyrtare. Por, ai nuk është paraqitur në seanca.
Trupi gjykues i gjobiti me arsyetimin se është duke e zvarritur procesin gjyqësor.
Kryetarja e trupit gjykues njoftoi se avokati Kollçaku ka kërkuar të tërhiqet nga ky rast, teksa i ishte drejtuar edhe njëherë Odës së Avokatëve, por pa ndonjë rezultat.
Megjithatë, i akuzuari dhe familjarët vazhduan të jenë ngulmues.
Shaban Gogaj, i akuzuari për vrasje të rëndë, ka kërkuar edhe përjashtimin e dy nga gjyqtarëve të trupit gjykues, ndërkohë që ish-bashkëshortja e të ndjerit Agonis Tetaj e kërkoi përjashtimin e të gjithëve. Por këto kërkesa janë refuzuar.
Teksa Oda e Avokatëve të Kosovës vazhdon të mos e përfillë Qeverinë, e cila muaj më parë vendosi kundër vendimit të OAK-së që të mos caktojë avokat sipas detyrës zyrtare, gjykimi për vrasjen e të riut Agonis Tetaj vazhdon të jetë i bllokuar.
Tetaj u vra më 23 shtator të vitit 2018 në vendin e tij të punës.