Dy paralele me maturantë në Shkollën e Mesme të Lartë “Naim Frashëri” në Shtime, rrezikojnë ta humbin vitin shkollor pasi që kanë mbetur pa u notuar, njëra në gjuhë frënge e tjera në atë angleze.
Këshilli Drejtues i prindërve të kësaj shkolle kanë mbajtur takim duke shprehur shqetësimin e tyre lidhur me këtë çështje.
Reshat Mujota, kryetar i Këshillit të prindërve në këtë shkollë , njëherësh edhe kuvendar i pavarur në Kuvendin Komunal në Shtime, ka thënë se nxënësit e këtyre paraleleve rrezikojnë ta humbin vitin.
"Bëhet fjalë për paralelet 12-8 (gjuhë frënge) dhe 12-9 (gjuhe angleze) në Shkollën e Mesme të Lartë ‘Naim Frashëri’ në Shtime. Ata rrezikojnë ta humbin vitin shkollor pasi që kanë mbetur pa u notuar sepse nuk kanë pasur mësimdhënës e komuna ka ngecur të punësoi mësimdhënës në këto lëndë", ka thënë Mujota.
Ai ka shpjeguar se e ka ngritur zërin edhe në Kuvend për këtë problem se Drejtoria Komunale e Arsimit nuk ka arritur të punësojë mësimdhënës për këto dy lëndë. "Ata mund ta humbin vitin sepse sipas udhëzimit Adminiatrativ mësimdhënësit e tjerë nuk kanë të drejtë t'i notojnë për lëndët tjera", ka thënë Mujota.
Në anën tjetër Yllka Fejzullahu, drejtoreshë e Arsimit në Shtime, të premten nuk ka qenë e qasshme për ta marrë një deklaratë lidhur me këtë çështje.