Arbëri

Maturantët me akuza për favorizim gjatë regjistrimit në Mjekësi

Kritika e akuza për parregullsi në procesin e provimit pranues në Fakultetin e Mjekësisë kanë ngritur disa nga kandidatët që nuk u pranuan. Favorizime të disa maturantëve gjatë nënshtrimit të provimit pranues, e pyetje me gabime teknike, janë disa nga parregullsitë që i kanë përmendur aplikuesit

Akuza për favorizime në procesin e provimit pranues në Fakultetin e Mjekësisë kanë ngritur disa maturantë të mërkurën, të cilët nuk arritën të regjistrohen në këtë njësi akademike të Universitetit të Prishtinës.

Një 18-vjeçare, e cila aplikoi për t’u regjistruar në programin e Stomatologjisë, në kushte anonimiteti, tha se ka pasur parregullsi në administrimin e provimit.

“Kur kemi hyrë në testim, që të gjithëve na kanë marrë letërnjoftimin për identifikim, e një prej nxënësve nuk ka pasur letërnjoftim, veç kopjen. E njëri prej udhëheqësve e ka marrë nxënësin me kopjen e letërnjoftimit dhe e ka fotografuar nxënësin edhe pastaj kemi hyrë në testim. Pastaj nxënësin në fjalë e kam pasur shumë afër në anën time të majtë dhe ka ardhur ai udhëheqësi që e fotografoi dhe gjatë gjithë kohës i ka qëndruar afër, e ka këqyrë çdo 10 minuta, i fliste me të vogël dhe largohej në mënyrë që ne nxënësit mos ta kuptonim dhe kah fundi erdh e u mbështet në muri dhe testin e fotografoi”, ka thënë kjo maturante.

Për parregullsi gjatë mbajtjes së provimit pranues, aplikuesit kanë pasur dy ditë kohë të shtrojnë ankesa. E të mërkurën janë shqyrtuar ato nga komisioni për provimin pranues në prezencën e aplikuesve.

Maturantja tha se anëtarët e komisionit nuk e morën parasysh ankesën e saj, duke i thënë se nuk janë kompetentë për ta trajtuar.

“Sot kam ardhur të ankohem dhe secilin që e kam pyetur, ka thënë nuk jam njeri kompetent. Kush është njeri kompetent këtu? Me sukses 5.0, me start 54 pikë, nuk jena pranu. Janë pranuar me start 40 apo 43. Janë pranuar me sukses me 3-sha, apo me sukses me 4-she. Vetëm thanë: mundesh në dekanat, se ne jemi këtu për pikët e provimit”, është ankuar ajo. 

Ajo tregoi se i është drejtuar edhe Dekanatit, porse asnjë person nuk e ka procesuar ankesën për parregullsi.

E një maturante tjetër, po ashtu në kushte anonimiteti, u shpreh se provimi ka pasur pyetje me gabime teknike në lëndën e kimisë, për çka ajo pretendon se i kanë kushtuar me mospranim.

“Profesori më ka treguar që është gabim se i kanë dhënë opsionet gabim. Për shembull, këtu e ka dhënë pyetjen mirë e opsionet gabim, e këtu pyetjen gabim e opsionet janë në rregull”, ka thënë ajo.

Ankesa patën edhe prindërit e maturantëve. 

Burim Mjekiqi tha se vajzës së tij i është bërë vlerësim jomeritor.

“Nxënësit me vetëm 40 pikë në testin e maturës janë pranuar, ndërsa vajza ime nuk është pranuar. Kjo është absurde. Këtu ka keqpërdorime. I kanë renditur nxënësit shembullorë poshtë në listë, i kanë marrë nxënësit e dobët, i kanë marrë nxënësit e shkollave të tjera si prej gjimnazeve dhe shkollave teknike, ndërsa kjo ka shkollën adekuate për këtë drejtim”, ka thënë Mjekiqi.

Kryetari i komisionit për provimin pranues, Flamur Blakaj, nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me kritikat e adresuara nga aplikuesit.

Kritika për listat e aplikanëtve pranues ka pasur edhe më herët në procesin e regjistrimit në Fakultetin e Mjekësisë. KOHA ka raportuar se gjatë vitit të kaluar dhe atij paraprak, ka pasur dyshimet nga vetë të rinjtë që patën mësyrë regjistrimin në UP, se janë keqpërdorur kuotat e komuniteteve. Sipas tyre, jo të gjithë të pranuarit për këtë kategori kanë qenë nga komunitetet pakicë.

Fakulteti i Mjekësisë mban primatin për numrin më të lartë të aplikimeve për regjistrim në Universitetin e Prishtinës. Janë 1751 aplikime të cilat janë bërë në afatin e parë për 420 vende të lira.

Në afatin e korrikut janë plotësuar edhe 354 vende.