Arbëri

Matura e luksit, deri në mbi njëmijë euro për veshje

Minimumi 200 e maksimumi 1 mijë e 300 euro është kostoja që nxënësit e shkollave të mesme thonë se i shpenzojnë për veshje gjatë mbrëmjes së maturës. Ka të tillë që për përjetësimin e ngjarjes, angazhojnë edhe fotografë personalë. Prindërit thonë se janë të larta shpenzimet e sociologët e shprehin nevojën që nxënësit të sensibilizohen se mbrëmja është për të festuar arritjet në nxënien e dijes, e jo për dukjen

Për mbrëmjen e gjeneratës, e cila e shënon përfundimin e rrugëtimit në arsimin parauniversitar, nxënës të shkollave të mesme kanë thënë se kanë shpenzuar edhe deri në mbi njëmijë euro për veshje. 

Disa prej tyre, me të cilët ka folur KOHA, kanë theksuar se minimumi që kanë shpenzuar për mbrëmje të maturës është 200 euro. 

Fustanin që e veshi për këtë mbrëmje, një maturante ka thënë ta ketë blerë 500 euro. E një tjetër ka treguar se veshjen që e ka bartur e ka kapur vlerën e 1 mijë e 300 eurosh. 

“1.200 gati 1.300, qashtu diçka më ka kushtuar. Flokët i kam bërë vetë e grimin diku. Nuk e kam paguar unë, andaj nuk e di (sa ka kushtuar)”, ka thënë ajo, tek nuk ka pranuar që të identifikohet me emër.

Përgatitja për këtë mbrëmje, sipas nxënësve, ka marrë kohë deri në më se një muaj. 

“Do të thotë krejt me ide, me shkuarjen te rrobaqepësja, me gjetjen e materialit (për fustanin), e krejt ndoshta një muaj e gjysmë e diçka (ka zgjatur përgatitja)... Shpenzimet kanë qenë modeste, edhe ka qenë punë qejfi, por ndoshta nuk ia vlen të shpenzohen kaq shumë”, ka thënë maturantja nga Prishtina, Anisa Islami.

Disa prej nxënësve janë kujdesur që për t’i jetësuar kujtimet nga mbrëmja, të angazhojnë edhe fotografë personalë. Për krejt këto shpenzime, prindërit kanë shprehur ankesën se e tejkalojnë standardin ekonomik të disa familjeve. 

Tek i ka përshkruar shpenzimet që i ka bërë për mbrëmjen e fëmijës së vet, babai Fisnik Dërguti, ka thënë se ato nuk kanë qenë shumë të larta porse ka shtuar se situatë e njëjtë nuk ka qenë edhe me disa prindër të tjerë.

“Jo shumë marramendëse, është normale, por 200 euro nuk i ik në fakt, qaty plus minus sillet dika. Fakt kjo për neve si prind edhe një kategori të njerëzve që detyrimisht duhet t’i gjejnë këto të holla për me ia siguru veshjen, pasi është njëfarë trendi që është bërë praktikë që është zhvillu për mbrëmjet e maturës, por megjithatë nuk e di nëse është mirë apo është keq, por konsideroj që ndoshta pak duhet që ky ritmi apo trendi i veshjeve në mbrëmje të maturës do të ishte mirë të ndërrohet pak”, ka thënë ai. 

E sociologia Flakë Ymeri, e ka vlerësuar si të nevojshëm sensibilizimin e të rinjve mbi faktin se mbrëmjet e maturës e përbëjnë një festë për arritjet dhe sukseset në nxënien e dijes.

“Mungon një informacion apo edukim i mirëfilltë në këtë aspekt apo drejtim. Është shumë mirë që më shumë të përjetohet kjo maturë dhe të përjetohen sukseset dhe jo dukja apo kush po duket më bukur, kur dihet se kostot në Kosovë janë shumë të larta për t’u përgatitur për këtë mbrëmje të maturës”, ka thënë ajo.

Mbrëmjet e maturës për nxënësit të cilët i përfundojnë klasat e 12-ta mbahen gjatë muajit maj. Pas tyre, maturantët gjatë qershorit do t’i nënshtrohen Testit të maturës, i cili është përcaktues për vazhdimin e tyre në shkollim universitar.