Arbëri

Mashtrim gjatë ndërrimit të shfrytëzuesit të një prone komunale në Drenas

Pa njoftim paraprak është rrënuar objekti i një biznesi që ishte ngritur me leje të Komunës së Drenasit në një pronë komunale të marrë me qira. Rrënimi është bërë për llogari të një biznesi tjetër, të cilit, nëpërmjet një procesi mashtrimi, të njëjtën hapësirë Komuna ia ka dhënë në shfrytëzim për 99 vjet. Pas kësaj, janë iniciuar dy procese gjyqësore

Në një ngrehinë që po rrënohej të martën prej 10 vjetësh ka zhvilluar aktivitetin biznesi i Filloreta Bujupit. Parcela ishte marrë me qira nga Komuna e Drenasit e për objektet e ngritura kishte leje ndërtimi.

Tani, Komuna që drejtohet nga Ramiz Lladrovci po ia bën gati hapësirën një biznesi tjetër privat, të cilit ia ka dhënë në shfrytëzim për 99 vjet, nëpërmjet një procesi mashtrimi.

Filloreta Bujupi ndodhej për kurim në spital, kur biznesi po i rrënohej.

E djali i saj thotë se gjithçka, përfshirë gjësendet e deponuara, po shkatërrohen pa paralajmërim.

“Sot kanë ardhur në 8 të mëngjesit pa kurrfarë lajmërimi, pa kurrfarë shkrese. As nuk na kanë lajmëruar. I lutemi ne. I lutemi shumë herë me e heq vetë objektin, me e çmontu ngadalë-ngadalë. Nuk na lejuan, se thanë na ka ardhë urdhër me e rrëzu”, thotë Albion Bujupi. “Ka shumë mall që është dëmtuar, krejt pajisjet e autolarjes, kaldaja e ngrohjes qendrore, si dhe të gjitha gjërat që i kishim të deponuara”.

Kur në fund të vitit të shkuar Komuna shpalli thirrje për ta dhënë në shfrytëzim këtë parcelë, Bujupi ofertoi me një projekt për pompë karburanti. Autoritetet i thanë se projekte të tilla nuk lejohen afër vendbanimeve. Prandaj, u detyrua ta ndërrojë.

Por, për këtë pronë, fitues u shpall kompania “IP Kos”, e cila kishte ofertuar pikërisht me projekt për pompë karburantesh.

Për këtë mashtrim, Komuna e Drenasit atëkohë e gjuajti fajin te një zyrtar.

“Për zyrtarin që ka dhënë informacione të tilla është shqiptuar masë disiplinore”, thuhej në përgjigjen e Komunës.

Pas kësaj, Filloreta Bujupi, në emër të biznesit të saj, ka iniciuar dy procese gjyqësore: një kallëzim penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare kundër tre personave; si dhe një padi për konflikt administrativ, me propozimin për caktimin e masës së sigurisë.

Megjithëkëtë, Komuna ka aprovuar kërkesën e kompanisë “IP Kos” për rrënimin e objekteve të ngritura nga shfrytëzuesi i deritashëm.

“Sa u përket punimeve në zonën kadastrale në Arllat, fillimisht kompania e cila ka në shfrytëzim afatgjatë atë parcelë për 99 vjet, ka bërë kërkesë për leje rrënimi pranë Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, e cila pastaj të njëjtën e ka pajisur me leje rrënimi dhe në të gjitha rastet e rrënimeve, Inspektorati komunal asiston në këto raste, ndërsa kur ka rrezikshmëri kërkohet asistimi i policisë”, thuhet në përgjigjen me shkrim që të martën e dha Komuna.

Inspektorët që ishin në vendngjarje nuk folën, e as zyrtarët e shumtë policorë.

E, në fshatin Arllat thonë se me një peticion e kanë njoftuar Komunën se nuk do të lejojnë projekte sikurse është ky i pompës së karburanteve që synohet të ngrihet.

“Nuk ka kërkund në botë ligj që lejon me ndërtu afër vendbanimeve pompë të benzinës. Veç një ligj le ta gjejnë diku, edhe ne jemi të pajtimit”, thotë Shumzim Bujupi, administrator i fshatit Arllat. “Jo, sipas meje, por sipas banorëve, pompë e benzinës nuk do të lejohet me ndërtu. Tash duhet të ndërmarrim hapa të tjerë, si protestat e rend, se kërkush nuk e ka pytë komunitetin”.

KOHA ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga kompania “IP Kos”, por kurrkush nuk është lajmëruar në numrin e kontaktit që asaj i figuron në faqen e ARBK-së.

Në fund të vitit, Komuna e Drenasit e kishte shpërblyer këtë kompani me dy prej 5 pronave kryesore, për të cilat kishte bërë shpallje publike. E bëri këtë, ani se në dosjet e aplikimit të “IP Kos” nuk ndodheshin garancitë bankarë për projektet, siç kërkohej në shpallje.