I përditësuar 18:08 - Ministria e Arsimit të premten ka hapur tenderin me titull “Kontraktor individual për monitorimin të mediave, qasje në dokumente publike dhe financiare”, më të cilin synon angazhimin e një eksperti i cili ndër të tjera do të monitorojë lajmet të cilat “e atakojnë institucionin”.
Vlera e paraparë e këtij tenderi është 7 mijë e 200 euro.
Në pikën e parë të përshkrimit të detyrave në dosjen e tenderit thuhet se personi që do të angazhohet “Është përgjegjës për monitorimin dhe analizimin e paraqitjes së Ministrisë dhe titullarit në media, monitorimin e lajmeve të cilat e atakojnë institucionin dhe ndërlidhen me proceset në arsim”.
Pas shpalljes së tenderit ka reaguar organizata INPO, e cila ka kërkuar anulim të procedurës.
“Organizata INPO kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) që të anuloj procedurën e prokurimit me titull ‘Kontraktor individual për monitorim të mediave, qasje në dokumente publike dhe financiare’, e cila është në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e prokurimit për kontraktimin e shërbimeve të veçanta”, thuhet në reagim.
Tutje thuhet se bazuar në analizën e dokumenteve të tenderit, INPO ka gjetur se ky tender nuk i plotëson kërkesat e nenit 57, të Rregullores për prokurimin publik, paragrafët e së cilit lejojnë kontraktimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave rekrutuese sipas Ligjit për Zyrtarët Publik dhe që janë shërbime profesionale të kategorive dhe profesioneve të veçanta që nuk parashihen brenda organogramit apo pozitave të punës brenda institucionit.
“INPO i rikujton Ministrisë, se trajtimi i kërkesave për qasje në dokumente publike dhe punët e tjera administrative dhe organizative për rrjedhjen e parasë, nuk janë shërbime të veçanta dhe janë detyra dhe përgjegjësi të zyrtarëve publik brenda administratës publike. Ndërkaq, shpenzimi i parasë publike për monitorimin e mediave të cilat e atakojnë Ministrinë apo janë kritik ndaj Ministres, është keqpërdorim i parasë publike dhe detyrës zyrtare”, thuhet në reagim.
Në një reagim të mëpasshëm, Ministria e Arsimit ka kërkuar falje për përdorimin e “termit joadekuat”. Në një komunikatë për media pas reagimeve publike, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë se “lëshimi ka ndodhur për shkak të zgjedhjeve të termave joadekuat” dhe se “ka qenë i paqëllimshëm”.
“Gjatë ditës së sotme, në media është publikuar lajmi se ‘Ministria e Arbërie Nagavcit me tender për ekspert që monitoron kritikat e mediave’. Divizioni për Komunikim Publik (DKP) ka hapur tender me datë 23.05.2024 për shërbime të veçanta, respektivisht për kontraktor individual për monitorimin e media, qasje në dokumente publike dhe financiare me qëllim rritjen e transparencës me publikun, por edhe informimin e stafit menaxherial dhe politik lidhur me lajmet që kanë të bëjnë me arsimin. Në bazë të kompetencave të veta ligjore dhe pa njohurinë e kabinetit, DKP ka përgatitur gjithë procedurën për këtë tender. Lëshimi ka ndodhur për shkak të zgjedhjes së termave joadekuat dhe duke qenë i paqëllimshëm, DKP u kërkon falje mediave dhe qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.
Po ashtu aty thuhet se Divizioni për Komunikim Publik në këtë ministri e kryen për shumë vite monitorimin e mediave e se kjo i ka shërbyer Ministrisë për ta mbajtur të informuar për lajmet që kanë të bëjnë me arsimin në Kosovë “dhe asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është qëllim i MAShTI-it për t’i kritikuar mediat lidhur me lajmet që i publikojnë, apo për të ndikuar në politikat e tyre redaktorialë”.
Tutje në komunikatë thuhet se ky divizion ka funksionuar me numër të vogël të zyrtarëve pasi muaj më parë një zyrtare u transferua në ministri tjetër.
Pas reagimit të MASHTI-t, Albulena Nrecaj nga INPO ka thënë se arsyetimi i Ministrisë s’e justifikon përdorimin e procedurës për prokurime për shërbimet të veçanta.
“Madje vetë e pranojnë që monitorimi i mediave është përgjegjësi e Divizionit për Komunikimin me Publikun, e në të cilin kanë mungesë të stafit, siç është thënë. MASHT duhet me hapë konkurs për punë sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë e jo tender për shërbime të veçanta”, ka thënë ajo duke përsëritur se tenderi duhet të anulohet sepse “është në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm për prokurimin publik”.