Shkarkimi i kryetarëve

MASHTI s’i bën çare KQZ-së për shkollat serbe në veri

Për votimin e 21 prillit shkollat në veri që menaxhohen nga strukturat ilegale nuk do të jenë në dispozicion, për t’u shfrytëzuar si qendra votimi. Zgjidhje nuk ka bërë as Ministria e Arsimit, pas një shkrese që e ka pranuar nga KQZ-ja. Sipas Ministrisë, janë komunat ato të cilat vendosin. E, problemi me qendrat e votimit nuk është diskutuar në mbledhjen e së shtunës të KQZ-së. Në të u vendos për akreditimin e vëzhguesve

Prishtinë, 13 prill (KD) – Ministria e Arsimit nuk i ka dhënë shpresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), se mund ta detyrojë menaxhmentin e shkollave serbe në veri që objektet të shërbejnë si qendra votimi në 21 prill. 

Në një përgjigje që ia ka kthyer KQZ-së, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA, ministria ka theksuar se komunat janë përgjegjëse për shkollat.

“Lidhur me Kërkesën nr. 02/471-2024, të pranuar më dt. 11.04.2024, për sigurimin e qasjes dhe funksionalitetit të Qendrave të Votimit, për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në Komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, ju njoftojmë se bazuar në nenin 7 të Ligjit për Arsimin parauniversitar dhe nenin 5 të Ligjit për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, shkollat janë kompetencë e komunave, përkatësisht Komunat kanë kompetencë ekskluzive për shkollat në territorin e tyre”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KQZ-në. “Prandaj, në këtë rast kërkesa juaj duhet t’u drejtohet kryetarëve të komunave të përmendura më lart”. 

Duke u bazuar në burime brenda KQZ-së, KOHA raportoi dy ditë më parë se janë pranuar informacione se për votimin e 21 prillit shkollat në veri që menaxhohen nga strukturat ilegale nuk do të jenë në dispozicion. 

E, të premten KOHA raportoi se institucionet ilegale të Serbisë ua kanë ndaluar drejtorëve të shkollave serbe edhe çfarëdo komunikimi me përfaqësues institucionalë të Kosovës, në prag të votimit për shkarkimin e kryetarëve.

Burimet thanë se ky arsyetim është përdorur, kur drejtorët janë kontaktuar për nevojën që më 21 prill t’i hapin shkollat, të cilat KQZ-ja i ka miratuar si qendra votimi.

Por, publikisht, drejtorët kanë refuzuar të flasin nëse do t’i vënë objektet në dispozicion të KQZ-së.
KQZ-ja ka mbajtur një mbledhje të shtunën, por në të nuk ka diskutuar për problemin me qendrat e votimit. 

Në këtë mbledhje, është akredituar grupi i dytë prej 112 vëzhguesve për procesin e votimit të 21 prillit.
Me të akredituarit në mbledhjen e së shtunës, numri i deritanishëm i vëzhguesve për votimet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok ka arritur në 130, ndërsa afati i fundit për aplikim është e hëna e 15 prillit.

“Përgjatë periudhës 9 prill deri më 12 prill, 12 organizata vëzhguese kanë dërguar dokumentet për aplikim, ku këto 12 organizata kanë dërguar edhe listat e vëzhguesve me gjithsej 110 vëzhgues. Pas pranimit të aplikacioneve dhe dokumentacioneve tjera mbështetëse, zyra ka shqyrtuar të gjitha dokumentacionet, si lista e vëzhguesve, ku nga rezultatet e verifikimit përmes sekretariatit të KQZ-së ka rezultuar se të gjithë vëzhguesit individualë në emër të secilës organizatë janë shtetas të Republikës së Kosovës”, ka thënë Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim edhe për numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për votimet e fundprillit.

“KQZ rekomandon që përqindja e fletëvotimeve që shtypet më pak se numri i votuesve është 14 për qind në këto katër komuna. Rëndom është praktikuar një gjë e tillë nga KQZ-ja dhe në të njëjtën kohë do të kemi edhe fletëvotime rezervë që do të jenë në secilën KKZ, pra, në secilën komunë. Rekomandojmë numrat, shifrat pra i kemi... 39.200 fletëvotime që duhet të shtypen nga numri total i votuesve prej 36.556 votues”, ka thënë Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike.

E për këtë një vërejtje e shprehu anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike, Sami Hamiti. 

“I shikova statistikat e fundit në zgjedhje. Mos po e zvogëlojmë shumë këtë numër, 14 për qind, se në zgjedhjet e fundit në Leposaviq kanë dalë 85.12 ..., në Zubin-Potok kanë dalë 83 për qind, në Zveçan kanë dalë 81 për qind. A e keni analizu mirë këtë 85-shin e 14-shi që ta bje qindpërqindshin tani? Mos po dalin më tepër se 85, nëse vazhdon trendi i 2021-s? Shikoni, statistikat këto janë. Se unë po dëgjoj tash, ose ka manipulim shumë të madh të votave.... po de, ka pasur, ose diçka nuk është në rregull”, ka thënë Hamiti.

Kolegu i tij nga radhët e PDK-së e ka konfirmuar se ka pasur manipulime. Por, shprehu besimin se me vendosjen e kamerave në vendvotime, problemi do të evitohet.

“Po janë edhe raporte ndërkombëtare që tregojnë për procesin e vëzhgimit që e kanë bërë në këto 4 komuna dhe tregojnë qartë se çka ka ndodhur në këto 4 komuna për atë dalje të votuesve prej 80 për qind. Pra e dimë se çfarë ka ngjarë dhe i kemi pasur ato raporte para vetes. Por edhe vendosja e kamerave që do të ndodhë edhe për zgjedhje të ardhshme parlamentare, edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale në nivel vendi, por edhe mekanizma tjerë të ndërmarrë nga KQZ-ja, sigurojnë që nuk ka votime të dyfishta”, ka thënë Arianit Elshani.

KQZ-ja vendosi edhe për emërimin e rreth 280 anëtarëve të 73 këshillave të vendvotimeve, si dhe për zëvendësimin e një anëtari të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.