Arbëri

MASHTI: Mitrovica e Veriut ka të drejtë të investojë në objektin e universitetit pa pëlqimin tonë

Ministria e Arsimit është deklaruar lidhur me nisjen e punimeve për ndërtimin e objektit të universitetit paralel në Komunën e Mitrovicës Veriore me fonde të Serbisë. Ministria në një përgjigje për KOHËN ka thënë se statusi i veçantë që gëzon komuna nga legjislacioni i mundëson asaj investimin në infrastrukturën e universitetit. MASHTI-i ka kërkuar që zgjidhja për funksionimin jolegjitim të universitetit të gjendet përmes dialogut me serbët e Kosovës. Njohësit e arsimit zgjidhjen e shohin në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ka vazhduar e papenguar dita e dytë e punës për realizimin e projektit tjetër të Serbisë në veriun e Republikës së Kosovës.

Makineritë kanë avancuar në rrënimin e objektit të vjetër të shkollës “Branko Radiçeviq” në komunën veriore të Mitrovicës, për t’i bërë vend objektit të ri të universitetit paralel të ashtuquajtur “Universiteti i Prishtinës”.

E pyetur nga KOHA për këtë çështje, Ministria e Arsimit ka thënë se legjislacioni në Kosovë parasheh status të veçantë për këtë universitet.

Si rrjedhojë, sipas Ministrisë, komuna ka të drejtë të bëjë investime në infrastrukturën e universitetit pa pasur nevojë për pëlqim të veçantë nga MASHTI-i.

Por, funksionimin e tij ministria e vlerëson jolegjitim dhe kërkon që kjo çështje të zgjidhet përmes bisedimeve me komunitetin serb të Kosovës.

“Legjislacioni në Kosovë parasheh status të veçantë për Universitetin e Mitrovicës së Veriut. Ky universitet menaxhohet nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, e cila ka të drejtë të bëjë investime në infrastrukturën e tij dhe për këtë nuk kërkohet pëlqim i veçantë nga MASHTI. Ndërkaq, funksionimi i këtij universiteti nuk është legjitim, pasi nuk ka hartuar një statut në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës dhe as që është akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim. Për këtë arsye, ky universitet nuk financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës. Ministria konsideron se çështja e Universitetit të Mitrovicës së Veriut duhet të adresohet përmes dialogut me komunitetin serb në Kosovë, në kuadër të gjetjes së zgjidhjes për statusin e arsimit në gjuhën serbe dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it.

Neni 14 i Ligjit për Arsimin në Komuna i jep kompetenca komunës së Mitrovicës Veriore për arsimin e lartë. Pika “f” i këtij neni i lejon komunës t’i sigurojë universitetit objekte dhe financim për veprimtarinë e tij nga buxheti i Kosovës.

Mirëpo, ky ligj lejon gjithashtu fondet për universitetin nga buxheti i Serbisë, derisa kërkon që ato të bëhen publike në pajtim me ligjet e Kosovës.

Sipas njoftimit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, objekti pesëkatësh i Universitetit do të ndërtohet në “Lagjen e Boshnjakëve” në një sipërfaqe prej 10 mijë e 500 metrash katrorë.

Në këtë objekt të financuar nga Serbia është planifikuar të vendosen degët e fakultetit të matematikës, ekonomisë, drejtësisë, shkencave të natyrës dhe ajo që shteti serb e quan rektorat.

Instituti “EdGuard”, i cili merret me çështje të edukimit, thekson neglizhencën e shtetit për të zgjidhur funksionimin paralel të institucioneve arsimore në komunat me shumicë serbe.

Si zgjidhje, drejtori i këtij instituti, Rinor Qehaja e sheh diskutimin e kësaj çështjeje edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo çka eventualisht mund të konsiderohet është që përmes rishikimit të Ligjit për Arsimin e Lartë të përcaktohet ndonjë status tjetër për këto institucione, status që po ashtu na garanton pastaj një përfshirje të tyre qoftë në proces të akreditimit por edhe si pjesë administrative të institucioneve të arsimit të lartë në vend”, është shprehur Qehaja.

Universiteti në Veri që vlerësohet se ka mbi 7 mijë studentë, nuk është i vetmi i cili funksionon jashtë ombrellës së sistemit arsimor kosovar. Tërë rrjeti arsimor në gjuhën serbe nuk bashkëpunon me institucionet e Kosovës.

Përveç ndërtimit të objektit për Universitetin, lagjja “Lugina e Diellit” në Zveçan dhe objektet e banimit kolektiv në Mitrovicën e Veriut, janë disa nga projektet ilegale të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.