Arbëri

MASHTI anulon tenderin për monitoruesin e lajmeve

Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit ka anuluar tenderin me titull “Kontraktor individual për monitorimin të mediave, qasje në dokumente publike dhe financiare”, me të cilin synohej angazhimi i një eksperti që do të kishte për detyrë monitorimin e lajmeve, që siç theksohet në dosje, e atakojnë këtë institucion.

Tenderi që u hap më 24 maj, e vlera e paraparë e të cilit ishte 7 mijë e 200 euro, nxiti reagimin e mediave dhe njohësve të prokurimit.

Në pikën e parë të përshkrimit të detyrave në dosjen e tenderit thuhej se personi që do të angazhohet “Është përgjegjës për monitorimin dhe analizimin e paraqitjes së Ministrisë dhe titullarit në media, monitorimin e lajmeve të cilat e atakojnë institucionin dhe ndërlidhen me proceset në arsim”.

Ditën kur ishte shpallur tenderi kishte reaguar organizata INPO  e cila kishte kërkuar anulim të procedurës. 

“Organizata INPO kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) që të anuloj procedurën e prokurimit me titull ‘Kontraktor individual për monitorim të mediave, qasje në dokumente publike dhe financiare’, e cila është në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e prokurimit për kontraktimin e shërbimeve të veçanta”, thuhej në reagim.

Tutje thuhej se bazuar në analizën e dokumenteve të tenderit, INPO ka gjetur se ky tender nuk i plotëson kërkesat e nenit 57, të Rregullores për prokurimin publik, paragrafët e së cilit lejojnë kontraktimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave rekrutuese sipas Ligjit për Zyrtarët Publik dhe që janë shërbime profesionale të kategorive dhe profesioneve të veçanta që nuk parashihen brenda organogramit apo pozitave të punës brenda institucionit.