Arbëri

“Masat” ndaj Kosovës shihen si ikje e Serbisë nga përgjegjësia

Paralajmërimet e Serbisë njohësit e çështjeve politike i shohin si ikje të Serbisë nga përgjegjësia për të zbatuar marrëveshjet me Kosovën, si dhe për dramatizim të situatës në terren. Sipas tyre, këto masa tregojnë, po ashtu, për veprimet që Serbia i ka bërë në Kosovë. Të premten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prezantoi masa të ndihmës për serbët në Kosovë, e po ashtu paraqiti “kushte”

Nga nëntori i këtij viti do të nisin të zbatohen masat e Serbisë ndaj Kosovës, të paralajmëruara ditë më parë nga presidenti serb, ka thënë ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në Serbi, Nemanja Staroviq, në një intervistë në RTS të dielën.

Sipas tij, pakoja pos dimensionit politiko – juridik ka edhe aspektin socio-ekonomik, derisa ka theksuar se Kosova do të shpallet “zonë e mbrojtur sociale”, e që për këtë ai tha se do të ndahet buxhet që të paguhen serbët.

Por gjithë këtë njohësit e çështjeve politike e shohin si ikje të Serbisë nga përgjegjësia për të zbatuar marrëveshjet me Kosovës, si dhe për dramatizim të situatës në terren.

Njohësi Fidan Ukaj ka thënë se synimi i Serbisë është t’iu shmanget çështjeve të Kosovës, me qëllim të ikjes nga ajo që i takon.

“Kërkesat e Serbisë që një pjesë e tyre janë sinkron me kërkesat e Bashkimit Evropian ma shumë janë me dramatizu çështjen e po ashtu me ngrit alarmin në arenën ndërkombëtare. Kjo periudhë, vizita e presidentit Vuçiq në arenën ndërkombëtare me i prezantu kërkesat e Serbisë që çështjet m’i dramatizu, lë të kuptohet që Serbia është e interesuar që sa më shumë ta dramatizojë çështjen e Kosovës, të ikë nga procesi i bisedimeve dhe zbatimi i marrëveshjeve të cilat i ka obligim. Paralajmërimi i masave nuk shoh që do të ketë efekt për Kosovën”, ka thënë Ukaj.

Këto masa të vendosura ndaj Kosovës, sipas analistëve politikë, tregojnë për veprimet që Serbia i ka bërë në Kosovë.

“Elementi i parë është se në cilat pika dhe në çfarë mase do të gjejë mirëkuptim tek aleatët tanë, tek bashkësia ndërkombëtare, shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja, në mënyrë që pastaj të shndërrohen në një lloj presioni të harmonizuar ndaj Kosovës, pra veçanërisht çështja e zgjedhjeve në katër komuna të veriut, apo edhe rikthimi i serbeve në polici dhe në sistemin gjyqësor”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri.

Njohësi tjetër i kësaj fushe, Dorajet Imeri, ka thënë se këto vendime tregojnë shumëçka për sjelljen e deritashme të Serbisë në raport me Kosovën.

“Masat të cilat Serbia do t’i vendosë ndaj Kosovës tregojnë që ajo qëndron prapa çdo veprimi që është bërë në të kaluarën dhe mund të ndodhë edhe në të ardhmen. Tash bëhet një vit që kur ka ndodhur sulmi në Banjskë. Serbia i ka instrumentalizuar serbët e Kosovës, është duke i kërcënuar vazhdimisht ata dhe çmimi i vetëm është zgjerimi territorial i saj”, ka thënë ai.

Të premten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prezantoi masa të ndihmës për serbët në Kosovë, e po ashtu paraqiti “kushte”.

Kërkesat e Vuçiqit për Kosovën përfshijnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, tërheqjen e njësive speciale nga veriu, formimin e Asociacionit, lirimin e të burgosurve serbë, kryerjen e pagesave në shërbimet postare me dinarë, si dhe kthimin e policëve, gjyqtarëve e prokurorëve serbë që u dorëhoqën.