Arbëri

Masat anti-COVID ulën me afro 30 për qind hyrjet e shtetasve të Kosovës në Shqipëri

Vermice

Kosova mban vendin e parë për hyrjet në Shqipëri për muajin janar të këtij viti, ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Megjithatë, Kosova ka shënuar një rënie prej 27.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar. Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) ka bërë të ditur se në janar të këtij viti kanë hyrë në Shqipëri 63.367 shtetas të Kosovës, krahasuar me 87.960 qytetarë të këtij vendi që kanë hyrë në Shqipëri në janarin e vitit të shkuar.

Kanë qenë masat anti-Covid të marra nga Qeveria e Kosovës ato që kanë ndikuar në uljen e numrit të hyrjeve të qytetarëve të Kosovës në Shqipëri. Më 21 janar të këtij viti, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të gjithë personat që duan të hyjnë në territorin e këtij vendi duhet të jenë të vaksinuar me të tria dozat e vaksinës ose edhe nëse janë vaksinuar me dy doza, atëherë të bëjnë testin PCR.

Vendimi i 21 janarit ka prekur edhe shtetasit e Republikës së Kosovës. Ata përjashtoheshin nga ky vendim nëse kishin dalë jashtë Kosovës dhe ktheheshin brenda 12 orëve. Ky vendim mbeti në fuqi deri më datën 4 shkurt duke bllokuar njëherësh lëvizjen e lirë Shqipëri-Kosovë. Statistikat e përgjithshme të lëvizjes së shtetasve për muajin janar të këtij viti, të publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, paraqesin një rritje të treguesve kryesorë, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021. Në janar të vitit 2022, numri i shtetasve gjithsej që kanë hyrë në territorin shqiptar regjistrohet në 454,072, duke pësuar rritje kështu, me 11.9%. Numri më i madh i hyrjeve gjithsej llogaritet gjatë vitit 2020, me 693,956 dhe kjo pasi turizmi akoma nuk ishte i goditur nga pandemia.