Arbëri

Masakrat më makabre iu treguan botës përmes objektivit të fotoreporterit Bujari

Krimet më makabre të Serbisë në Kosovë iu treguan botës përmes objektivit të kamerës së fotoreporterit Alban Bujari, i cili vdiq të enjten. Bujari ishte pjesë e ekipit të KOHËS që kur nisi karrierën e tij në të përditshmen “Koha Ditore” në vitin 1997, derisa ishte pjesë e grupit të fotoreporterëve kosovarë që përcollën zhvillimet politike dhe sociale të fundviteve të ‘90-ta. Në veçanti dokumentoi luftën mes UÇK-së e forcave serbe si dhe krizën humanitare të refugjatëve shqiptarë të Kosovës

Imazhet e para të krimeve më makabre të Serbisë në vitet ‘98-‘99 u shfaqën përmes objektivit të aparatit të fotoreporterit, Alban Bujari, i cili ka vdekur të enjten, më moshën 55-vjeçare. Bujari ishte pjesë e ekipit të KOHËS që kur nisi karrierën e tij në të përditshmen “Koha Ditore” në vitin 1997.

Ai ishte pjesë e grupit të fotoreporterëve kosovarë që përcollën zhvillimet politike dhe sociale të fundviteve të ‘90-ta. Në veçanti dokumentoi luftën mes UÇK-së e forcave serbe si dhe krizën humanitare të refugjatëve shqiptarë të Kosovës.

Publicisti dhe themeluesi i “Kohës Ditore”, Veton Surroi, thotë se Bujari me punën e tij u bë pjesë e pashlyeshme e historisë së Kosovës.

“Kanë qenë momentet më të vështira për Kosovën siç kanë qenë masakrat në Poklekun, Qirezin, në vende tjera në Kosovë dhe Albani do të ishte aty. Vrasja e ushtarëve të UÇK-së në Rugovë të Hasit, shumë ngjarje të tjera ku fotografia e tij bënte ndryshimin.  Asokohe e patëm themeluar edhe një lloj agjencie ‘Arta’ dhe me fotografitë të cilat vendosëm aso kohe t'i dërgonim në botë, të cilat çfarë ishin duke ilustruar në mënyrë shumë grafike masakrat që bëheshin në Kosovë, nxitëm opinionin ndërkombëtar, i treguam opinionit ndërkombëtar se çka po ndodhte këtu. Pjesë shumë e madhe e atij veprimi ka qenë Albani dhe kolegët e tij, edhe Visari, edhe më vonë Driton Paçarada e të tjerë.  Kjo ka qenë gjenerata e cila, duke e zgjeruar lirinë e shprehjes brenda nesh, krijoi edhe lirinë e Kosovës”, ka thënë Surroi.

Ai shton se dokumentimi i së vërtetës ishte nevojë e kohës përballë propagandës së ashpër të Serbisë.

“Kemi pas një propagandë të ashpër nga ana e Serbisë, e cila mohonte çdo gjë dhe për çdo gjë fajësonte gjoja terroristët shqiptarë dhe se kur vritej ndokush ishte një terrorist shqiptar. Ne treguam që ata ishin fëmijë dy vjeç ose plaka tetëdhjetë vjeçe ose qytetarë të rëndomtë. Natyrisht kishte edhe si në rastin e Rugovës së Hasit ushtarë të UÇK-së, pa dyshim, por asnjëri prej tyre nuk ishte terrorist. Ata ishin në tokën e vet, në vendin e vet, luftonin për lirinë e vet ose shpreheshin për të jetuar në tokën e vet, siç është ajo fëmija ose plaka. Që nga masakrat e para, domethënë që nga Pokleku, Qirezi e të tjerat, Koha ka qenë, Albani dhe gazetarët kanë qenë pjesa më e rëndësishme e propagimit të së vërtetës për Kosovën”, ka theksuar Surroi.

Ndër fotografitë më të dalluara janë ato të masakrës së Qirezit, që të premten shënoi përvjetorin e 27-të, pastaj krimin mbi familjen Jashari në Prekaz më 1998, masakrën e Reçakut më 1999, masakrën e Rogovës më 1999. Kontributi i tij vazhdoj edhe në periudhën e pasluftës duke sjellë përmes objektivit të aparatit të tij ngjarjet kryesore. 

Trashëgimia që la Bujari për dokumentuesit e krimeve të luftës është dëshmia më e fortë për ato që ndodhën në vitet 90-ta.

“Asnjëherë nuk i jepet merita e duhur fotoreporterëve, sidomos atyre të cilët kryejnë punë gjatë luftës apo gjatë konfliktit. Në fakt, provat më të sakta, imazhet që i sjellin fotoreporterët e luftës janë ato të cilat i shërbejnë pastaj edhe gjykatave edhe organizatave tjera që bëjnë dokumentimin e krimeve të luftës por edhe krijimit të historisë apo të një narracioni të saktë. Mendoj që asnjëherë nuk kishim mund me kriju narracionin e saktë, pa imazhet që i kanë sjellë fotoreporterët e luftës, e sidomos tashmë i ndjeri Alban Bujari që ka dokumentu në mënyrë të jashtëzakonshme disa nga masakrat më të tmerrshme që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Blakaj.

Ai ka veçuar masakrën e Rogovës së Hasit në fund të janarit të vitit 99 ku në bazë të imazheve që pati sjellë Alban Bujari, Fondit për të Drejtën Humanitare i kanë shërbyer për ta rikonstruktuar vendin e ngjarjes.

“Mendoj se pa punën e fotoreporterëve kishte me qenë e pamundur që të krijohet ai imazhi i saktë. Duhet me pas parasysh edhe atë që ne që punojmë tani na dokumentimin e krimeve të luftës, jemi në pozitë shumë komode, intervistojmë dëshmitarë, mbledhim prova. Kurrsesi s'mundemi me u barazu apo me u futë në këpucët e fotoreporterëve, të cilët e kanë sjellë veten në pozitë jashtëzakonisht të rrezikshme, e janë futur në vendet e krimeve, ku ende kanë qenë prezent kryerësit e krimeve dhe kanë marrë ato imazhe”.

Blakaj shton se institucionet e Kosovës deri më tani nuk kanë bërë mjaftueshëm që t'i mbledhin, t'i sistemojmë, analizojnë të gjitha provat, dëshmitë dhe evidencat që janë sjellë nga palë të ndryshme duke filluar nga fotoreporterët, organizatat joqeveritare që janë marrë me dokumentimin e krimeve të luftës dhe nga institucionet e tjera.

Puna e Bujarit është botuar në mediat më prestigjioze ndërkombëtare, si “Time”, “Sunday Time”, “The Independent”, “The Guardian” e “El Pais”.

Alban Bujari gjithashtu ka punuar edhe për agjencinë evropiane të shtypit EPA, përgjegjës për mbulimin e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99.