Në 25-vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës, ku forcat serbe vranë e masakruan 116 të burgosur, familjarët dhe të mbijetuarit e saj vazhdojnë të kërkojnë drejtësi. Kryeministri Kurti ka thënë se të gjithë të burgosurit ishin dhe janë dëshmi e së vërtetës së Kosovës. E, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, premtoi angazhim të institucioneve për t’i vënë para drejtësisë ata që urdhëruan dhe ekzekutuan krimin
Arbër Bytyqi nga Komuna e Rahovecit për çdo vit e viziton Burgun e Dubravës, aty ku 25 vjet më parë forcat serbe ia vranë babanë bashkë me 115 të burgosur të tjerë, ndërsa të plagosur mbetën rreth 300 të burgosur shqiptarë.
Forcat serbe, në shenjë hakmarrjeje pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, masakruan edhe të burgosur shqiptarë.
Bytyqi ishte vetëm dy vjeç kur forcat ia vranë babanë në këtë vend.
“Çdoherë, çdo vit kur vijmë këtu, dhimbja është më e madhe, sepse kur e dimë që askush nuk është përgjegjës (nuk është dënuar v.j.) për këtë masakër, dhimbja është çdoherë më e madhe. Përveç dhimbjes që e kam për babin, ashtu edhe familja ime, në të njëjtën kohë kemi edhe një inat pse asnjë person nuk është përgjegjës për veprimet e krimet që janë bërë”, ka thënë ai.
Në këtë masakër bashkëshortin e humbi Hamide Morina. Ajo tregon se si e kuptoi për vdekjen.
“Ma morën burrin dhe e dërguan në Gilan për një muaj. Shkuam dhe shikuam një herë, por kur shkuam herën e dytë ta vizitojmë, nuk kish qenë aty. E kishin pas sjellë këtu (në Dubravë v.j.) dhe kur kemi dëgjuar, veç me u tranu, sepse të gjithë dërgojshin letra te familjarët e ky jo, pastaj e ditëm se ka vdekur”, ka rrëfyer Morina. “Kur i dëgjuam lajmet që kerkojshim me shku me i shiku në Istog rrobat (e kufomave v.j.), çka me shiku? E kishin mbytë. Vajzën ma ka lënë pa lind, 33 vjet i ka pasur, 4 fëmijë m’i la”.
E Ylber Topalli nga Ferizaj, i cili i mbijetoi kësaj masakre, tregon se si arriti të shpëtonte.
“Unë kam qenë këtu në pjesën kur është bërë masakra dhe sot jam gjallë falë dy shokëve, Agim Reçicës dhe Xhevat Hazirit, të cilët më kanë tërhequr dhe më kanë sjellë deri tek ajo pjesa poshtë ku nuk kanë pasur mundësi të gjuajnë më. Kam qenë i plagosur për së dyti herë, sepse një herë isha i plagosur kur më kanë arrestuar dhe kështu sot po e kujtojmë këtë ditë me emocione të trazuara për krejt ata 120 shokë që na kanë mbetur (të vrarë v.j.), për të gjithë ata shokë që ende nuk ka filluar të troket drejtësia”, ka thënë Topalli.
Për përkujtim të të vrarëve të kësaj masakre është organizuar edhe një akademi përkujtimore në të cilën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se institucionet do të angazhohen që të ketë drejtësi.
“Tashmë po zhvillohen hetime nga Prokuroria Speciale dhe në këtë moment janë 40 të pandehur dhe në fund të vitit të kaluar prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari për pjesëmarrje në vrasjen e mbi 100 shqiptarëve në Burgun e Dobravës, në vitin 1999. Dhe nga këtu ne do të zotohemi dhe do të angazhohemi në vazhdimësi që të ketë drejtësi për masakrën e Dubravës që kriminelët mos të dalin të lirshëm, por ata t’i vuajnë dënimet për krimet që i kanë bërë”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Përfaqësuesit më të lartë shtetërorë bënë përgjegjës shtetin serb për krimin e kryer 25 vjet më parë.
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar drejtësi për viktimat dhe ka thënë se masakra shpërfaqi egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politikë.
“Kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politikë, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka thënë se bashkëndien me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i ka inkurajuar të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi.
E, gjatë homazheve që ka bërë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se të gjithë të burgosurit në Dubravë ishin dhe janë dëshmi e së vërtetës të Kosovës.
“Secili prej të burgosurve shqiptarë që ishin në Burgun e Dubravës në ato ditë të majit të vitit 1999 është dëshmitar i historisë dhe dëshmitar i së vërtetës së Kosovës. Emrat e skalitur në memorialin e 116 të vrarëve në këtë masakër janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës”, ka theksuar ai.
Kryeministri ka thënë se i zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes kombëtare Ukshin Hoti, “është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi”, si dhe “e vërteta e mijëra të zhdukurve me dhunë nga Serbia, prej të cilëve 1597 janë ende të pagjetur”.
“Shteti ynë, Republika e Kosovës, do të gjejë rrugë dhe mënyra për të dëshmuar sërish e përsëri, sikur sot, sikur vitin e kaluar, sikur që e kemi bërë gjatë këtyre 25 vjetëve, për të vënë drejtësi dhe për të vërtetën aq të rëndësishme të historisë, të sakrificës dhe të qëndresës së popullit tonë”, ka thënë Kurti.
Nga 19 e deri më 24 maj të vitit 1999 u vranë e u masakruan 116 të burgosur, nga 980 sa ishin grumbulluar në Burgun e Dubravës.