Arbëri

Gjermania përmend afate për masat e sigurisë ndaj mallrave nga Serbia

Diskutimet mes Kosovës dhe Gjermanisë lidhur me masën e sigurisë ndaj mallrave që importohen nga Serbia janë duke vijuar, kanë konfirmuar zyrtarë të Ambasadës gjermane në Prishtinë. Megjithëse nuk kanë ofruar përgjigje në shumicën e pyetjeve të KOHËS, në Ambasadë kanë deklaruar se ka afate që lidhen me rregullat dhe procedurat e CEFTA-s. Kjo çështje ka qenë temë diskutimi edhe në takimin e fundit të CEFTA-s me ministrat e Ekonomisë për të shënuar dhjetëvjetorin e Procesit të Berlinit dhe për ta vendosur agjendën e ardhshme

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë janë duke i vijuar diskutimet rreth heqjes së masës së sigurisë për mallrat e importuara nga Serbia, kanë thënë të premten në Ambasadën gjermane në Prishtinë. 

Kur kanë mbetur pak më shumë se dy javë deri në mbajtjen e Samitit të radhës në kuadër të Procesit të Berlinit, ku pjesëmarrja e Qeverisë së Kosovës është vënë në pikëpyetje, zyrtarë të Ambasadës kanë përmendur afatet në kontekst të rregullave të CEFTA-s. 

“Meqenëse ende janë duke u zhvilluar bisedime ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve të Qeverisë Gjermane, ju lutemi kuptoni se në këtë moment nuk mund t’u përgjigjem shumicës së pyetjeve tuaja. Megjithatë, kur bëhet fjalë për pyetjen tuaj në lidhje me afatin kohor, sigurisht që ekzistojnë afate të caktuara që ndodhin në bazë të rregullave dhe procedurave të brendshme të CEFTA-s dhe organeve të saj”, ka thënë për KOHËN, Christian Botcher, zyrtar për komunikim në Ambasadën e Gjermanisë. 

Ai nuk ka treguar as nëse qeveritarëve të Kosovës u janë dërguar ftesat për pjesëmarrje në takimin e 14 tetorit, kur do të shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit. 

Më 24 shtator, ministrat e Ekonomisë janë mbledhur në Berlin për ta shënuar këtë përvjetor të Procesit të Berlinit dhe për ta vendosur agjendën e ardhshme, nën organizimin e ministrit Federal të Gjermanisë për Çështje Ekonomike dhe të Veprimit Klimatik, Robert Habeck. Sipas tij, diskutime të shumta ka pasur për problemet e pazgjidhura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Po përpiqemi të gjejmë një kompromis që të mundësojë përmbylljen e marrëveshjes. Rajoni është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet të mbetet i varur nga konflikte rajonale. Sado i komplikuar të jetë konflikti, është e rëndësishme të tregojmë fleksibilitet për të ecur përpara, përndryshe do të duhet të gjenden zgjidhje alternative”, ka deklaruar Habeck.  

Ai ka shtuar se marrëdhëniet e reja globale i shtyjnë edhe më shumë vendet e Ballkanit Perëndimor në qendër të interesit të Bashkimit Evropian (BE), për shkak të afërsisë së tyre gjeografike.

Danijela Gaçeviq, drejtoreshë në detyrë e Sekretariatit të CEFTA-s, ka marrë pjesë po ashtu në Konferencë. Sipas komunikatës së Sekretariatit të CEFTA-s, konferenca që ka mbledhur ministrat e Ekonomisë, liderë të biznesit dhe ekspertë ndërkombëtarë, është përqendruar në vlerësimin e progresit drejt krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM). 

“Mundësitë ekonomike të rajonit, teksa afrohet me integrimin në BE, ishin në qendër të diskutimeve, së bashku me dhjetë marrëveshje të rëndësishme të lehtësimit të tregtisë së CEFTA-s që janë në pritje të miratimit”, ka shkruar në komunikatë. “Gaçeviq theksoi rëndësinë e këtyre vendimeve për arritjen e lirisë së plotë të lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve: ‘Miratimi i këtyre marrëveshjeve do të jetë një hap i rëndësishëm drejt një Tregu të Përbashkët Rajonal në përputhje me BE-në. Secila prej tyre është një paketë përfitimesh për bizneset dhe konsumatorët që do të na afrojë, jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me BE-në. Prandaj, është thelbësore që t'i miratojmë sa më shpejt’”. 

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, e pati përmendur gjatë vizitave të fundit të tij në Prishtinë mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit po qe se Qeveria nuk i heq masat.

“Do të jetë kthesë prapa në besimin që mund ta integrojmë rajonin bashkë. Do të jetë shumë keq kjo. Nuk do të ndalemi vetëm pse Kosova po bllokon. Kosova mund ta bllokojë vetëm veten. Do të adoptojmë mundësi tjetër për një mekanizëm të përkohshëm, jo CEFTA”, kishte deklaruar Sarrazin në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar nëse do ta konsiderojnë heqjen e këtyre masave dhe nëse kjo çështje ndërlidhet me pajisjet që Gjermania i ka premtuar në funksion të rritjes së kontrolleve kufitare për mallrat që hyjnë në Kosovë. 

E ministri i Tregtisë i Serbisë, Tomislav Momiroviq, ka thënë se bllokada ndaj produkteve të Serbisë ka qenë mes temave kryesore, tek ka shtuar se kjo çështje nuk mund të injorohet më. 

“Gjatë bisedimeve të vështira që u zhvilluan sot në Berlin, ndër të tjera i kujtova bashkëbiseduesit se presioni i vazhdueshëm mbi popullsinë tonë në provincën jugore është i papranueshëm dhe se kjo çështje nuk duhet të injorohet më”, ka theksuar Momiroviq. Ai ka shtuar se Serbia më në fund ka parë shenja të qarta mirëkuptimi nga zyrtarët gjermanë, veçanërisht zëvendëskancelari, njëherësh ministër i Ekonomisë, Robert Habeck, si dhe përfaqësuesit e BE-së.

Mospajtime me masën e sigurisë për mallrat nga Serbia kanë shprehur edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH). Në raportin, në të cilin flitet për klimën investive në Kosovë, është thënë se Qeveria nuk ka ofruar sqarime se si këto masa kanë ndihmuar në zbutjen e kërcënimeve për sigurinë.

“Kjo ndalesë shkaktoi konfuzion të madh për importuesit dhe ndikoi negativisht te kompanitë në pronësi të subjekteve të huaja në Kosovë, për shkak të ndërprerjeve në zinxhirin e furnizimit. Pavarësisht kërkesave të përsëritura, Qeveria e Kosovës nuk ka ofruar asnjë shpjegim se si kjo ndalesë ka ndihmuar në zbutjen e kërcënimeve për sigurinë”, shkruan në raport. 

Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe është vendosur më 14 qershor të 2023-tës, të njëjtën ditë kur forcat serbe i patën rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës përgjatë brezit kufitar me Serbinë.

Më pas, Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj mallrave, duke e hequr masën e sigurisë vetëm për mallrat e lëndës së parë dhe për gjysmë produkte. E përfaqësues të bizneseve në Kosovë kanë thënë se masat kanë prodhuar efekt negativ për kompanitë prodhuese evropiane dhe amerikane. 

Drejtori Ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka deklaruar se ndërlidhja e kësaj mase me aspektin e sigurisë nuk arsyetohet, edhe më shumë se një vit më vonë pas vendosjes së saj. 

“Paradoksal është fakti që ndalesa nuk vlen për produktet gjysmëfinale dhe lëndën e parë, të cilat për nga forma, në të cilën importohen, mund ta cenojnë më tepër aspektin e sigurisë. Pra masa, ashtu siç është vendosur vitin e kaluar, vijon të jetë në fuqi vetëm për mallrat finale që importohen nga Serbia. Një numër kompanish me pronësi ndërkombëtare kanë ndarë shqetësimin e tyre me Odën Amerikane, e kjo përfshin edhe kompanitë prodhuese amerikane. Ne ndajmë të njëjtin shqetësim me përfaqësuesit e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët po ashtu kanë kërkuar shfuqizimin e kësaj mase, të ritheksuar së fundmi edhe në Deklaratën e Klimës së Investimeve”, ka thënë Zeka. 

Nga dhjetori i 2021-tës, Kosova ka pezulluar pjesëmarrjen në Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pasi Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia kanë refuzuar që të diskutojnë për largimin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) si përfaqësues i Kosovës brenda marrëveshjes rajonale të tregtisë.

Pas tre vjetësh bllokadë, zyrtarë të Qeverisë kanë deklaruar së fundi se Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Por sipas Jeton Zulfajt, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit.

Më 14 dhe 15 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz do të mbahet Procesi i Berlinit, ku synohet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë. Aktualisht, tregtia e lirë realizohet nëpërmjet CEFTA-s, por Kosova e ka refuzuar këtë rrugë në të kaluarën, pasi përfaqësohej nga UNMIK-u dhe jo si shtet i pavarur.

Procesi i Berlinit është një iniciativë e Qeverisë gjermane nga viti 2014 dhe një platformë e përbashkët për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian (KE), disa vende të BE-së dhe Britaninë e Madhe që synon të mbështesë afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.
Marrëveshjet në kuadër të CEFTA-s miratohen nga Komiteti i Përbashkët në formën e Vendimeve, Protokolleve Shtesë ose Rekomandimeve. Aktualisht, dhjetë marrëveshje të tilla janë në pritje të miratimit në fusha të ndryshme si tregtia elektronike, shërbimet e shpërndarjes së pakove, parandalimi i bllokimit të pajustifikuar gjeografik, kualifikimet profesionale, pronësia intelektuale, menaxhimi i rrezikut, shërbimet e agjencive të udhëtimit, njohja e operatorëve ekonomikë të autorizuar dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare.