Arbëri

Marrëveshja e tretë për financimin e rrugës së nisur në vitin 2009

Për të tretën herë shteti i Kosovës ka nënshkruar marrëveshje për financimin e magjistrales Prishtinë - Mitrovicë, rrugë e cila ka filluar të ndërtohej një vit pasi Kosova shpalli Pavarësinë. Përderisa finalizimi i kësaj rruge nuk duket afër, qarkullimi për qytetarët që çdo ditë e frekuentojnë këtë rrugë është vështirësuar

Udhëtimi në magjistralen 38-kilometërshe Prishtinë-Mitrovicë zgjat rreth 1 orë e 10 minuta. Kolonat e veturave shfaqen pas çdo 10 kilometrave, si pasojë e rrugës me asfalt të dëmtuar. E, telashet e vjetra në këtë rrugë nacionale sjellin pasoja edhe në xhepin e qytetarëve që çdo ditë kalojnë me automjetet e tyre në këtë pjesë. 

Qytetarët thonë se të paktën dy herë në tre muaj detyrohen ta dërgojnë veturën e tyre për servisim. E për këtë qytetari Ferit Pajaziti fajëson udhëheqësit e shtetit. 

“Rruga është llom, është katastrofë, por kjo është se hajnat duhet të hajnë për vete mirë që të pasurohen. Dhjetë herë në ditë kaloj poshtë-nalt, këtu udhëheqësit i kanë fajet se populli nuk ka faj për këto gjëra, ata që janë në krye të shtetit nuk janë mirë”, ka thënë Pajaziti. 

Një vit pasi Kosova shpalli Pavarësinë ka filluar ndërtimi i magjistrales Prishtinë-Mitrovicë. Një segment prej 15 kilometrash nga 43 sosh ka mbetur pa u finalizuar. E përfundimi i saj është premtuar nga Qeveria aktuale se do të ndodhë gjatë mandatit të saj. 

Kur kanë mbetur më pak se gjashtë muaj nga përfundimi i mandatit, Qeveria ka nënshkruar të hënën një marrëveshje rreth 13 milionë euro me Fondin Saudit për Zhvillim për fillimin e punimeve në një segment prej 5 kilometrash. 

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili nënshkroi këtë marrëveshje, nuk dha një datë se kur do të fillojnë punimet në segmentin prej 5 kilometrash, që përfshin rrugën nga Smrekonica deri në Mitrovicë. 

“Jemi mbledhur këtu që të konkretizojmë një hap më tutje drejt realizimit të një projekti tepër të rëndësishëm, siç është ai i rrugës Prishtinë-Mitrovicë, pra, siç e dini, që tashmë ka një kohë të gjatë që ka filluar si projekt më herët edhe nga qeverisjet e kaluara, megjithatë besoj që me ndryshimet e fundit që kanë ndodhur, me dinamikën e re po shohim një tjetër zhvillim dhe një tjetër shkallë të implementimit”, ka thënë Murati. 

Kjo është hera e tretë që shteti i Kosovës nënshkruan marrëveshje me Fondin Saudit për Zhvillim për financimin e ndërtimit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë. Në vitin 2013, Ministria e Financave e udhëhequr nga ish-ministri Besim Beqaj kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me zëvendëspresidentin e Fondit për Zhvillim të Mbretërisë Saudite, Mohammed A. Al-Jenaidel. Pastaj në fillim të këtij viti Qeveria bëri të ditur vazhdimin e punimeve për ndërtimin e një segmenti prej 10 kilometrash. Për këtë u tha se ka kosto prej rreth 25 milionë eurosh dhe fondet janë siguruar me huamarrje nga fondi ndërkombëtar OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Fondi Saudit për Zhvillim.

Të hënën drejtori i Fondit Saudit, Sultan A. Almarshad, ka thënë se marrëveshja e fundit do të rregullojë trafikun në rrugën nacionale. 

“Ky është përkushtim i vazhdueshëm i bashkëpunimit tonë me Kosovën, kjo vjen si vazhdim i projektit që është bërë në vitin 2013, kjo do ta rehabilitojë rrugën nacionale dhe do të zgjerojë rrugën në të dyja anët. Kjo do të zvogëlojë trafikun dhe do të parandalojë aksidentet”, ka thënë ai. 

Për këtë rrugë momentalisht janë duke u zhvilluar punime për ndërtimin e segmentit prej 10 kilometrash. Punimet për këtë filluan në shkurt të këtij viti e pritet të përfundojnë në fillim të vitit të ardhshëm.