Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut ka bërë të ditur të martën se është duke i inspektuar të gjitha dërgesat e ujit të importuar burimor nga Kosova, pasi që në analizat laboratorike të kryera në një mostër uji është zbuluar prania e bakterit koliform.
Sipas kësaj agjencie, mostrat do të merren në pikat e inspektimit të importit dhe se dërgesat nuk do të lëshohen në qarkullim derisa të merret një rezultat që e konfirmon sigurinë e produkteve.
“Për shkak të konstatimit pozitiv laboratorik të baktereve koliform në ujin mineral të burimeve me origjinë nga Republika e Kosovës, në kundërshtim me dispozitat e Rregullores për kërkesat e veçanta të sigurisë për ujin mineral natyral, ujin e burimeve dhe ujin tjetër të ambalazhuar (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 184/20218), importi i të gjitha dërgesave të ujit mineral të burimeve të vendosura nga ky shtet është bërë nën mbikëqyrje të shtuar”, kanë njoftuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut.
Mediat maqedonase kanë raportuar se mostra e ujit në të cilin është gjetur bakteri është e kompanisë “Rugova”. Në këtë kompani kanë thënë nëpërmjet një komunikate se produktet e tyre certifikohen rregullisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) dhe se produktet i kanë kaluar me sukses edhe analizat në Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV).
E lidhur me mostrën e dyshuar, në kompani kanë thënë se pas analizës së dytë, uji ka rezultuar i pastër dhe i pijshëm.
“Më datë 12 shkurt, gjatë një analize të bërë nga eksporti i një sasie të ujit në shishe plastike 1.5l në Maqedoninë e Veriut, është konstatuar se cilësia e ujit nuk i ka kaluar testet. Lidhur me mostrën e analizuar, dëshirojmë të sqarojmë se: Mostra në fjalë ishte pjesë e procedurës standarde të kontrollit kufitar para se produkti të hidhej në treg. Sipas legjislacionit në fuqi, pas një analize fillestare, ne kërkuam që e njëjta mostër të testohej përsëri nga autoritetet përkatëse maqedonase. Rezultatet e analizës së dytë konfirmuan se uji është i pastër, i pijshëm dhe pa asnjë problem cilësor”, kanë thënë në kompaninë “Rugova”.
Lidhur me çështjen, KOHA ka kontaktuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë dhe në këtë institucion kanë thënë se janë në pritje të informatave zyrtare nga autoritet në Maqedoninë e Veriut.
Testi për bakteret koliform është një standard i përdorur për vlerësimin e cilësisë së ujit të pijshëm.
Bakteri koliform është organizëm i pranishëm në mjedis dhe në jashtëqitjet e të gjitha kafshëve me gjak të ngrohtë dhe të njerëzve. Ky bakter nuk mund të shkaktojë sëmundje. Megjithëkëtë, prania e tij në ujë të pijshëm tregon se organizmat që shkaktojnë sëmundje (patogjenët), mund të jenë në sistemin e ujit, thuhet në përshkrimin që e bën Departamenti i Shëndetësisë i Shtetit të Washingtonit.
Sipas tij, nëse bakteri koliform gjendet në një mostër uji, operatorët e sistemit të ujit punojnë për të gjetur burimin e ndotjes.