Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se raketat “Javelin” do të jenë me kohë në Kosovë, pa dhënë ndonjë afat kohor. Ai ka theksuar se Kosova i ka filluar pagesat milionëshe për këto raketa te Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Aktualisht jemi në vazhdimësi të procesit të blerjes së këtyre sistemeve. Do të vijnë me kohë në Kosovë dhe do të jenë pjesë e inventarit të FSK-së. Tani jemi në fazën e diskutimeve të afateve, jemi duke realizuar pagesat e para për këto sisteme. Kemi filluar pagesat”, ka thënë ai.
Maqedonci ka potencuar se SHBA-ja konsiderohet e pazëvendësueshme në syrin e Qeverisë së Kosovës.
“Mospajtimet politike shpesh mund të krijojnë pasoja, por SHBA ka qenë në vazhdimësi dhe mbetet mbështetësi kryesor të ngritjes së kapaciteteve të mbrojtjes së FSK-së. Ne si Qeveri dhe ministri e konsiderojmë SHBA-në aleat të pazëvendësueshëm”, është shprehur ai.
Maqedonci: Janë blerë të gjitha pajisjet dhe armatimi i nevojshëm për mbrojtje
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se janë blerë të gjitha pajisjet dhe armatimi i nevojshëm për mbrojtje.
Në një intervistë për “Konfrontin” në KTV, Maqedonci nuk ka specifikuar llojet e pajisjeve dhe të armatimit që ka Forca e Sigurisë së Kosovës.
“Gjitha blerjet që janë bërë janë blerje që janë realizuar përmes blerjeve të veçanta, që lejohet me ligje tonat dhe marrëveshjet që i kemi shtet me shtet. Blerjet janë bërë bazuar në një plan të blerjes. Janë blerë të gjithë pajisjet dhe pajisjet e armatimit bazuar në nevojat e arritjes së objektivave në planin gjithëpërfshirës”, ka thënë ai.
Maqedonci ka thënë se armatimin dhe pajisjet e FSK-së qytetarët kanë pasur mundësi t’i shohin përmes aktiviteteve të ndryshme.
“Ka edhe sisteme, municione të ndryshme apo predha të cilat nuk mund t’i shohin”, ka shtuar ai.
Maqedonci: Në ditën e sulmit në Banjskë, FSK-ja ka qenë në gatishmëri në rast eskalimi
Forca e Sigurisë së Kosovës ka qenë e gatshme të reagojë nëse eprorët do të kërkonin një gjë të tillë nga ajo pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në emisionin “Konfront” në KTV.
Maqedonci ka deklaruar se FSK-ja asokohe pati bërë planet e veta të veprimit në rast se situata do të përshkallëzonte në një konflikt.
“Ne e kemi të shtrirë gjendjen e gatishmërisë në katër nivele në FSK, gjatë gjithë kohës 24/7 kemi në gatishmëri njësi që janë të gatshme për shumicën e llojeve të operacioneve që zhvillon FSK. Këto njësi janë të kontaktuara në vazhdimësi, por më 24 shtator të gjitha shtabet e FSK-së, përfshirë shtabin e përgjithshëm, kanë zhvilluar analizat e tyre dhe kanë ardhur në kurse të ndryshme të veprimit në rast të eskalimit, apo rast tentimi për invazion në territorin tonë”, ka theksuar ai.
Ministri ka theksuar se më 24 shtator të gjithë ushtarët janë informuar që të jenë të gatshëm për ndonjë operacion të mundshëm.
“E kemi pasur vetëm nivelin e parë që është niveli fillestar i gjendjes së gatishmërisë, por sigurisht të gjithë pjesëtarët e FSK-së kanë qenë të informuar në mënyrë që të jenë të gatshëm nëse do të kërkohej nga ne që të ishin pjesë e ndonjë operacioni të mundshëm”, ka thënë Maqedonci.
Si e parasheh të ardhmen e luftës në Ukrainë, ministri Maqedonci
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, derisa ka folur për atë se si e sheh të ardhmen e luftës në Ukrainë, ka thënë se tejzgjatja nuk është e mirë për asnjërin vend.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Maqedonci ka thënë se tejzgjatja e luftës më së paku i konvenon agresorit, në këtë rast Rusisë, pasi nevojitet që të dërgojë më shumë kapacitete e personel në territor të huaj.
Ai ka shtuar se në këtë rast, zgjatja e luftës nuk i konvenon as aleatëve të Ukrainës, pasi u duhet që ta përkrahin vazhdimisht me armatim e municion.
“Tejzgjatja e luftës nuk është e mirë për asnjërin vend, mirëpo në shumicën e rasteve agresori është më i cenueshëm nga tejzgjatja e luftës pasi i nevojitet të zbarkojë shumë asete, kapacitete e personel në territor të një vendi tjetër dhe t’i mirëmbajë ato kapacitete në atë vend. Tejzgjatja e luftës nuk është as në favor të aleatëve të Ukrainës, pasi i duhet një mbështetje e vazhdueshme, mirëpo në shumicën e rasteve nga përvojat, historia e luftërave, tejzgjatja e luftës më së paku është në favor të agresorit pasi që e bën një luftë që kërkon më shumë resurse, më shumë njerëz dhe më shumë përpjekje për ta fituar”, është shprehur ai.