Programi Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse u miratua këtë të mërkurë nga Qeveria e Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, derisa ka folur për këtë program, ka thënë se është i ngjashëm me disa vende të NATO-s, veçanërisht me ato baltike.
Ai ka theksuar se në këtë program do të kenë një rol të rëndësishëm qytetarët.
“Në të gjitha vendet e NATO-s janë duke i rishikuar sistemet e mbrojtjes dhe sigurisë. Gjatë këtij viti, një ndër prioritetet e mia ka qenë programi dhe në mbledhjen e sotme ky program u miratua dhe zbatimi i tij do të bëhet pasi të jenë gati të gjitha dokumentet e tjera përkatëse”, ka thënë Maqedonci për “A2CNN”.
Ai ka shtuar se mbrojtja gjithëpërfshirëse është strategji qeveritare që përfshin qasjen mbarë shoqërore në të gjithë sistemin e mbrojtjes dhe ruajtjen e interesave jetike të vendit dhe qytetarëve.
“Koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse nuk është një zëvendësim i sistemit të detyrueshëm, por një koncept i veçantë, që praktikohet në vendet e ndryshme të NATO-s, veçanërisht në vendet baltike, por edhe në vendet e tjera. Përmes këtij programi, ne iu japim mundësinë të gjithë qytetarëve që të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes së Kosovës në baza vullnetare”, është shprehur Maqedonci.