Arbëri

Tre aktivistë të LVV-së dënohen me nga 6 muaj burgim, Manxhuka shpallet i pafajshëm

gjykata

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur të pafajshëm zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ndërsa tre të tjerët që po gjykoheshin me të janë shpallur fajtorë – Egzon Azemi, Qerim Elshani e Edi Zenelaj.

Në seancën e së premtes është marrë vendimi për rastin gjyqësor për nxitje të urrejtjes dhe kanosje të gjyqtarit Mentor Bajraktari e ish-prokurorit special, Afrim Shefkiu.

Azemi, shef i kabinetit të ministrit të Shëndetësisë, është dënuar me gjashtë muaj burgim pasi vepra penale ndaj tij është ricilësuar nga “nxitja e urrejtjes dhe mosdurimit” në “kanosje”. 

Elshani është dënuar për kanosje, ndërsa Zenelaj është shpallur fajtor për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, pasi vepra penale ndaj tij është ricilësuar nga “kanosja”.

Prokurorja Speciale, Fikrije Fejzullahu, pati thënë se shprehjet që të akuzuarit i përdorën në rrjetet sociale e grafitë, e në të cilat gjyqtari dhe prokurori u përshkruan si shtyllë e turpit pas lirimit të të dyshuarit për terrorizëm, Dejan Pantiq, bënë që Shefkiu e Bajraktari t’i ekspozohen frikës. 

Sipas Prokurorisë, dy eksponentët e LVV-së nxitën urrejtje dhe mosdurim ndaj Bajraktarit e Shefkiut me postimet e dhjetorit të 2022-tës. Azemi pati shpërndarë citatin “tradhtarët, plumbin e kanë hak” e Manxhuka shkroi se “ky aktlirim është akt tradhti”, kur ndaj Pantiqit u ndryshua masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Elshani akuzohet se kanosi prokurorin e gjyqtarin duke shkruar se atyre “duhet t’u hidhet bombë në gojë”, e Zenelaj se bëri grafitë me emrat e tyre, duke i kualifikuar si shtyllë turpi.

VIDEO: