Arbëri

Mantelbardhët ngrenë dyshime për kurdisje të konkursit nga Komuna e Drenasit

Komuna e Drenasit shpalli konkurs të ri për pozitën e koordinatorit të cilësisë për Kujdesin Parësor Shëndetësor, pasi në të parin, Gjykata Themelore evidentoi shkelje. Mjekë të QKMF-së ngrenë dyshimin për parregullsi edhe në këtë konkurs, tek pretendojnë se kushtet e tij u akomoduan për ta pranuar kandidatin që më 2022 nuk i pati përmbushur kriteret. Në Komunë, që prej një jave nuk u janë përgjigjur pyetjeve konkrete të KOHËS lidhur me çështjen

Gati pesë muaj pasi Gjykata Themelore në Drenas gjeti shkelje në emërimin e Koordinatorit të Cilësisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Komuna e Drenasit shpalli në shtator konkurs të ri.

Mjekë të kësaj QKMF-je shprehën dyshim për shkelje të serishme, tek pretenduan se kushtet e konkursit janë përshtatur për pranimin e personit që aktualisht e mban këtë pozitë e që në konkursin e parë të shtatorit të 2022-tës nuk e pati kaluar testin, dhe që u akuzua nga mjekët se nuk ka përgatitje të duhur profesionale meqë sipas tyre ai është infermier me shkollë të mesme.

Ata i kërkuan Komunës së Drenasit anulimin e këtij konkursi.

“Ky konkurs dyshojmë se është me prapavijë, sepse konkursi i njëjtë i 2022-tës nuk e ka të përfshirë në kriteret e zgjedhjes së konkursit shkollimin e mesëm. Kësisoj shkel Qarkoren Informative Nr. 01/2019, lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë që është dokument bazë për zgjedhjen e koordinatorit. Paragrafi 3.2 i saj thotë: Për pozitën e koordinatorin mund të konkurrojnë të gjithë profesionistët shëndetësorë ose bashkëpunëtorët profesionalë me shkollim të lartë në menaxhment shëndetësor. E kjo bie në kundërshtim me konkursin, sepse në kriteret e zgjedhjes u lejohet të konkurrojnë edhe kandidatët me shkollim të mesëm të mjekësisë”, thuhet në kërkesën e mjekëve të QKMF-së në Drenas.

Në konkursin e parë kërkohej që për aplikim të dorëzohej diploma e kualifikimit dhe licenca e punës, e në të riun, krahas diplomës së Fakultetit, lihet mundësia edhe për diplomë të Shkollës së Mesme të Mjekësisë.

Për këtë çështje, KOHA që prej një jave kërkoi sqarime nga drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Drenasit, por kërkesa nuk u aprovua.

E në Komunë nuk iu përgjigjën asnjërës nga pyetjet rreth dokumentacionit të kërkuar dhe mundësisë së aplikimit me shkollim të mesëm, e as se cilat kushte duhet t’i plotësojë kandidati a çfarë shkollimi duhet të ketë.

“Kriteret e konkursit janë të përcaktuara sipas normave ligjore që janë të caktuara edhe në preambulën e konkursit, të cilin besoj që edhe ju e keni parë tashmë. Kushtet dhe kriteret e konkursit janë të përcaktuara dhe të publikuara në konkurs, i cili është i shpallur në uebfaqen zyrtare të Komunës dhe ju njoftojmë se konkursi është ende i hapur për secilin që ka interesimin për të aplikuar në këtë pozitë”, thuhet në një përgjigje të Komunës së Drenasit.

Për kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, KOHA kërkoi interpretim edhe nga Ministria e Shëndetësisë që e nxori Qarkoren Informative më 2019, porse në këtë institucion kërkuan që pyetjet t’i drejtohen komunës.

Bazuar në statutin e QKMF-së, koordinatori i cilësisë është profesionist shëndetësor, përgjegjës për mbikëqyrjen e punës profesionale të ekipeve të Mjekësisë Familjare, propozimit të masave për përmirësimin e gjendjes.

Afati për aplikim për këtë pozitë do të mbyllet më 6 tetor.