Sociologu Fadil Maloku, ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shumë i rrezikshëm.
Ai ka vlerësuar se qeveria aktuale me në krye Albin Kurtin nuk do ta zbatojë.
Sipas Malokut, Kosova më mirë është të përballet me sanksione nga bashkësia ndërkombëtare, sesa ta formojë Asociacionin.
“A më mirë nëse nuk do t’i kishim sanksionet dhe ta formonim Asociacionin që është shumë i rrezikshëm? Mendoj se kjo Qeveri nuk do ta zbatojë. Këta e kanë gjetur një argument që mund ta zbatojmë pakon, por pakon si tërësi dhe jo vetëm Asociacionin që është shumë i rrezikshëm”, ka thënë ai të martën në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka shtuar se partitë politike në Kosovë duhet të shohin se çfarë po ndodh në nivel global.
“Partitë politike duhet të shohin pak se çfarë po ndodh jashtë oborrit të Kosovës. Të dalin pak edhe në nivelin global, ata nuk e kanë guximin të dalin prej lëvozhgës ideologjike. Është një lloj hezitimi, një lloj frike e paarsyeshme. Vetëvendosja e ka nuhatur sensin e ndryshimeve globale, kontinentale dhe rajonale. Mund të ketë shumë defekte në planin e brendshëm si ekonomik, politik, por në planin rajonal, kontinental dhe global e kanë nuhatur ndryshimin që po vjen të gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë”, është shprehur ai.
Derisa ka folur për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Maloku ka thënë se ka pasur luftë politike dhe jo betejë ushtarake dhe intervenimi i NATO-s ka ndodhur pasi ka pasur interesa politike, gjeostrategjike dhe gjeopolitike.
“Intervenimi i NATO-s nuk ka qenë për shkak se ne jemi më të mirë se serbët, ose se cilido komb tjetër, por interesat kanë qenë të amerikanëve. Kam dëgjuar disa intervista të (Wesley) Clarkut dhe pjesëmarrësve të tjerë aktivë në luftën e 99’tës, faktikisht ata thonë që kjo luftë ka qenë politike dhe jo betejë ushtarake, po të ishte ashtu Serbia do të kishte sot tjetër konstalacion. Ka pasur interesa politike, gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Intervenimi është i lidhur me krijimin e një baze të re në Ballkan, rasti ideal kemi qenë ne dhe fati ynë është ky”, ka theksuar ai.