Arbëri

Mallrat serbe, Dogana pret brenda 10 muajve ta ketë në dispozicion një skaner

Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, ka thënë se brenda 10 muajve pritet që ta kenë në dispozicion një skaner me rreze X që do ta lehtësonte punën për kalimin e mallrave serbe.

Qeveria e Kosovës më 8 tetor vendosi të lejojë importet nga Serbia, por vetëm përmes pikës kufitare në Merdar. Vendimi erdhi pas presionit të Gjermanisë, e cila në këmbim ofroi t’i siguronte Kosovës një skaner me rreze X. Veç Gjermanisë, nga një skaner kanë premtuar për Kosovën edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktualisht, për kamionët që hynë nga Serbia në Merdar zhvillohen kontrolle të plota shkaku i shqetësimeve të sigurisë. 

Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Llugaliu bëri të ditur se procedura për blerjen e skanerëve është shumë e gjatë pasi janë pajisje të rëndësishme. Por shtoi se janë njoftuar nga ambasada amerikane se kanë nisur procesin për ta siguruar një të tillë e që sipas drejtorit do të vijë në Kosovë tetë deri në 10 muaj.

“Nuk mundet një vendkalim ta përballojë këtë fluks, por kjo është mënyra sa mund të bëjmë derisa të arrijmë t’i kemi skanerët. Nuk është me thënë lehtë saktësisht kur vijnë skanerët pasi janë pajisje që kanë procedura të gjata për t’u blerë. Gjatë javës së ardhshme, do të vijë një ekspert për pjesën e skanerit që do të ofrohen nga BE-ja dhe Gjermania me gjet një mënyrë më të shpejtë për sigurimin e dy skanerëve. Po ashtu tetë deri në 10 muaj presim ta kemi një skaner në dispozicion pasi ambasada amerikane na ka njoftuar se kanë nisur procesin. Përparësi do të ketë pika kufitare në Merdar. Pasi të kemi numrin më të madh të skanerëve, do t’i vendosim në vendet ku e shohim rriskun më të madh”, ka thënë ai, duke shtuar se Jarinja është pika tjetër kufitare ku pritet të vendoset një skaner.

Llugaliu pranoi se kanë resurse të kufizuara për të bërë kontrolle të plota. Që nga vendimi i Qeverisë për lejimin e mallrave serbe, drejtori i Doganës ka thënë se kanë katërfishuar ekipet e kontrollit në Merdar, duke ofruar në dispozicion edhe ekipin e qenve nuhatës dhe të gjitha pajisjet që duhen për kontrolle të thelluara.

Sipas Llugaliut, në Merdar në baza ditore kryhen kontrolle të plota mesatarisht ndaj 85 kamionëve që vijnë nga Serbia.

“Mesatarisht tetë minuta duhen për ta kontrolluar plotësisht një kamion. I kemi katër ekipe që punojnë vazhdimisht”, ka deklaruar ai.

Kur janë bërë një muaj prej që ka hyrë në fuqi lejimi i importeve nga Serbia, Llugaliu ka thënë se nuk kanë pasur asnjë problem dhe nuk presin ta kenë për shkak të “qasjes së kontrollit 100 për qind”.

Llugaliu ka theksuar se janë në proces të shqyrtimit që përmes Bankës Botërore t’i blejnë edhe dy skanerë të tjerë.

Gjithashtu, drejtori i Doganës ka thënë se kanë kaluar projeksionet e Qeverisë që brenda këtij viti t'i mbledhin rreth 1.7 miliardë euro të hyra. Siç thotë ai, deri në fund të vitit, kjo shifër pritet të kalohet lehtësisht.