Arbëri

Maliqi: Personat me aftësi të kufizuara janë kategoria më e margjinalizuar në vend

Afrim Maliqi

Foto: KP

Organizata Handikos ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara me moton “Të gjithë jemi njerëz, të gjithë jemi të barabartë". 

Me këtë rast drejtori i Handikos-it, Afrim Maliqi, ka theksuar se personat me aftësi të kufizuara janë kategoria më e margjinalizuar në vend.

“Edhe nuk ka shërbime të duhura shëndetësore, mungon mbështetja ekonomike e familjare. Mungojnë medikamentet dhe pajisjet e duhura të cilat personat me aftësi të kufizuara i përdorin në përditshmëri. Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, vetëm 3 mijë e 600 fëmijë ndjekin mësimin në shkollat fillore dhe të mesme”, ka deklaruar Maliqi.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se është e domosdoshme që kjo kategori të jetë e përfshirë në vendimmarrje.

“Ka rënie të cilësisë të shërbimeve, me theks të rehabilitimin fizikal. Mungesa e politikave që ndikojnë në identifikimin e hershëm të aftësisë së kufizuar, çështja e kujdestarisë në ofrimin e mbështetjes pastaj ekipet e vlerësimit, janë krejt këto që neve na bëjnë sot të mendojmë që në angazhimin e deritanishëm nuk e kemi bërë mjaftueshëm”, është shprehur Qelaj.

Asambleja e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1992 shpalli 3 dhjetorin Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, me qëllim të promovimit të të kuptuarit të çështjeve mbi aftësinë e kufizuar dhe të mobilizimit në përkrahjen për dinjitet, të drejta dhe mirëqene të personave me aftësi të kufizuar./KP