Arbëri

Maliqi: Administrata Trump nuk i beson Kurtit

Analisti Agon Maliqi ka thënë se cilado parti që vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duhet të ndryshojë qasje kundrejt bashkësisë ndërkombëtare nga ajo që ka pasur Qeveria Kurti deri tash.

Ai ka komentuar deklaratën e emisarit amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, i cili i ka quajtur mashtrim deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se krahasuar me qeveritë paraprake, kjo aktualja e drejtuar prej tij, ka pasur marrëdhëniet më të mira me Washingtonin. Madje, Grenell ka shkruar se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Albin Kurtit.

“Grenell nuk mund të flasë në emër të gjithë bashkësisë ndërkombëtare, por është person që mund të flasë në emër të administratës së SHBA-së. Administrata Trump e ka treguar edhe në mandatin e parë, e çuditshme në kuptimin e operimit të saj dhe dikush si Grenell ka peshë të madhe rreth çështjeve të Ballkanit”, ka thënë Maliqi në emisionin “60 Minuta”.

Maliqi ka shtuar se cilado qeveri e ardhshme në Kosovë do ta ketë të vështirë të ndërtojë marrëdhënie pune me administratën amerikane.  

“Administrata Trump por edhe ajo Biden e kanë pasur një raport të vështirë me kryeministrin Kurti dhe secila qeveri që vjen, por veçanërisht Kurti, do ta ketë të vështirë të ndërtojë marrëdhënie të punës me një administratë amerikane”, është shprehur ai.

Sipas Maliqi, administrata Trump nuk i beson Kurtit.

“Një qeveri e udhëhequr prej kryeministrit Kurti do të përballet me këtë administratë dhe me Grenellin si personin kyç mbi politikën për Ballkanin dhe kjo lloj administrate nuk sheh hapësirë për bashkëpunim, nuk i beson kryeministrit Kurti”, ka theksuar Maliqi.