Malajzia ka hequr vizat për shtetasit e Kosovës për udhëtime të shkurtra, njoftoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten.
Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Malajzi pa viza për qëndrime deri 30 ditë, njoftoi Osmani, duke shtuar gjithashtu se do ta vizitojë vendin e Azisë juglindore javën e ardhshme.
Osmani njoftoi edhe për hapjen e Ambasadës në Kuala Lumpur, në kohën kur ajo do jetë në vizitë atje.
“Ky është një tregues i qartë se lidhjet mes dy vendeve tona po forcohen çdo ditë e më shumë. Shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj institucioneve malajziane për këtë vendim domethënës”, ka shkruar ajo në X.
Malajzia ishte në mesin e vendeve të para që njohu pavarësinë e Kosovës kur e shpalli atë në vitin 2008.
Kosovarët mund të udhëtojnë pa regjim vizash në 53 shtete.