Arbëri

Makolli e akuzon Qeverinë për arrogancë dhe injorim total të punëtorëve shëndetësorë

Anëtari i Kryesisë së Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Sherif Makolli, e ka akuzuar Qeverinë aktuale për arrogancë dhe injorim total të punonjësve shëndetësorë. 

Derisa ka folur për shkëputjen e dialogut social të punëtorëve shëndetësorë me Ministrinë e Shëndetësisë, ai ka thënë se qeveria në asnjë vendim nuk i ka përfillur. 

“Asnjë vendim që e ka marrë vetë kjo qeveri nuk na ka përfillur dhe e kemi një injorancë totale nga ana e saj. Janë treguar arrogantë sepse nuk e marrin mendimin e tjetrit”, ka thënë ai.

Ai tutje e ka quajtur skandal ndërprerjen e kontratës kolektive, që sipas Makollit, ka ndodhur njëanshëm. 

“Me konfirmimin e vetë ministrit të Shëndetësisë sa i përket kontratës kolektive është kapitull i mbyllur. Ne jemi shumë të befasuar për të keq. Me ardhjen e kësaj qeverie është ndërprerë njëanshëm kontrata kolektive, me ç’rast shumë benefite kanë rënë. Skandali më i madh për ne si sindikatë është që punëtori shëndetësor që është me kancer, i ndërpritet kontrata, ndërsa me kontratë kolektive ka qenë e rregulluar që ai deri në vdekje ta gëzojë pagën”, është shprehur ai.