Presidenti i Francës, Emmanuel Macron do ta presë homologun serb, Aleksandar Vuçiq, të hënën në mbrëmje në Pallatin Elysée për të diskutuar mbi integrimin evropian të Serbisë dhe marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ka njoftuar Presidenca e Francës në një deklaratë për shtyp të premten.
Presidenti serb do të pritet rreth orës 20:00 në pallatin presidencial, ku do të ketë deklaratë të përbashkët dhe një darkë.
Macroni “do të riafirmojë, me këtë rast, lidhjen e tij dhe mbështetjen e plotë për integrimin evropian të Serbisë” dhe “se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është çështje integrale e procesit të anëtarësimit” në Bashkimin Evropian, thuhet në njoftimin e Presidencës.
“Të dy presidentët do të diskutojnë gjithashtu forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e mbrojtjes, energjisë, inovacionit dhe inteligjencës artificiale”, thuhet tutje në njoftim.