Konferenca me Ramën

Macroni i impresionuar me reformat e Shqipërisë

Edi Rama & Emmanuel Macron

Edi Rama dhe Emmanuel Macron (Foto e shkëputur nga video)

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është shprehur i impresionuar me reformat e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, gjatë konferencës për shtyp që e pati me kryeministrin Edi Rama të premten në Paris.

Macroni ka thënë se Franca do të jetë mbështetëse e madhe e Shqipërisë për integrim në BE.

“Ju e dini se mund të keni besim te vendosmëria ime. Dua të përsëris angazhimin e Francës në favor të anëtarësimit të vendit në BE dhe të lëvizjes që ne kemi për Ballkanin Perëndimor. Këtu bëhet fjalë për të vepruar për bashkimin e Evropës, për ta bërë më të fortë. Që prej mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë, Shqipëria ka vazhduar rrugën e saj drejt integrimit. Jemi të impresionuar nga tërësia e reformave dhe kapacitetet për të avancuar nën drejtimin tuaj. Përshëndes zërin e Shqipërisë në rajon dhe skenën ndërkombëtare. Së fundmi pritet në Tiranë një samit rajonal ku ishte edhe Zelensky për të forcuar unitetin me Ukrainën”, ka thënë presidenti francez.

E kryeministri Rama ka thënë se mikpritja e Macronit ka qenë “diçka që nuk e kisha imagjinuar kurrë”. Falënderoi për mbështetjen që Franca i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në BE.

“Ka gjëra që po marrin formë, është ekselenca franceze që po mbërrin në Shqipëri dhe tani kemi një horizont të ri të punës së përbashkët, ku kanë nisur investime të mëdha për investimin francez për ndërtimin e dy parqeve foto voltaike të rajonit. Duam të bëjmë më shumë, jam i sigurt se do bëjmë më shumë. Do presim me krahëhapur gjithçka që vjen nga Franca. Sepse kur Franca mbërrin, nuk është vetëm një çështje parash, por njohje dhe dituri”, ka thënë Rama.

Rama e theksoi një virtyt për të cilin njihen shqiptarët.

“Ne shqiptarët nuk jemi të pasur apo të mëdhenj, por kemi aftësi, jemi besnikë, gjë që është unike. Nëse një ditë do keni nevojë për dikë për të qenë me ju në një moment vështirësie të jashtëzakonshme thërrisni një shqiptar, ai do të vijë”, ka deklaruar ai.