Telefonata me Kurtin

Macroni e lidh anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me zbatim të Asociacionit

Kurti-Macron

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar të martën me presidentin francez, Emmanuel Macron, në telefon. Ky i fundit ia ka ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.

Macroni ka theksuar përkushtimin për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka shtuar se mbështet ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe bëri thirrje për zbatim të plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

Në komunikatën  publikuar në faqen e Presidencës franceze thuhet se presidenti Macron e ka mirëpritur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Megjithatë, në komunikatë thuhet se Macroni nënvizoi rëndësinë që “Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga autoritetet kosovare".

Macroni ka folur edhe mbi dështimin e votimit në veri të dielën për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë. Ai ka thënë se organizimi i zgjedhjeve të reja sa më shpejt që është e mundur mbetet i domosdoshëm, me pjesëmarrjen e serbëve.  

Kurti beson se Franca do ta mbështesë Kosovën në KiE “pa parakushte të mëtejshme”

11 muaj më parë / 23 pri 2024 23:13
Albin Kurti & Emmanuel Macron

Kryeministrin Albin Kurti është shprehur optimist se Franca do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa parakushte të mëtejshme.

Në “X”, Kurti ka njoftuar për telefonatën që ka pasur me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të martën.

“Në një telefonatë me presidentin Macron, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Francës për Kosovën dhe shpreha besimin tonë se Franca do të mbështesë ofertën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës pa parakushte të mëtejshme, në përputhje me votimin historik të Asamblesë Parlamentare. Gjithashtu insistove në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar kryeministri i Kosovës.

Njoftimin për telefonatën mes Kurtit e Macronit e dha edhe Presidenca franceze më herët. Në komunikatë është bërë e ditur se Macroni ia ka bërë të qartë Kurtit se anëtarësimi në Këshillin e Evropës lidhet me zbatimin për themelimin e Asociacionit.

Këshilli i Ministrave pritet që me 16 maj të votojë kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.