Arbëri

Macroni bën thirrje që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të sillen para drejtësisë

Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë është peng për stabilitetin e rajonit dhe të gjithë kontinentit të Evropës. 

Macron ka thënë në një prononcim për media pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Franca do ta mbështesë rolin ndërmjetësues të Bashkimit Evropian dhe ka thënë se dyja palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet. 

Ai ka bërë thirrje që përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtatorin e kaluar të sillen para drejtësisë. Në sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën tre policë tjerë. Milan Radoiçiq ka pranuar se ishte në krye të grupit që kreu sulmin terrorist. 

“Secila palë duhet të kontribuojë në rrugë dhe në këtë kuptim dua të përshëndes gjestin e bërë nga të dyja palët, por tash duhet të shkojmë edhe më tej. E di se jeni gati dhe e përsëritët edhe gjatë bisedës së përbashkët në Bruksel. Për mua kjo është e nevojshme. Është e nevojshme që nga njëra anë që përgjegjësit për sulmin në Banjskë vjeshtën e kaluar të dalin para gjykatave dhe të dhënë përgjegjësi për veprimet e tyre. Duhet të bëhet çdo gjë që të mos ndodhë më një dramë e tillë”, tha Macron, raporton “Tanjug”.

Ai po ashtu ka bërë thirrje për organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve në katër komunat veriore, si dhe të gjendet zgjidhje për çështjen e dinarit. 

“Unë jam i vetëdijshëm se sa të vështira janë këto kompromise, por edhe të mundshme, për liderët që kanë guximin dhe vizionin për t’i pranuar ato dhe për të korrur frytet e paqes dhe kështu të kontribuojnë në stabilizimin e rajonit”, tha Macron. 

E presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka akuzuar palën kosovare se nuk ka bërë asgjë në dialog. 

“Ju thatë se të dyja palët kanë bërë nga diçka, për Beogradin dhe Prishtinën, por jo të dyja. Njëra palë s’ka bërë asgjë. Ajo njëra palë ka organizuar zgjedhje me pjesëmarrje 3.4 për qind. Nuk ka hetim ndaj atyre që qëlluan fëmijët tanë sepse kishin stoli të Krishtlindjeve. Çështja e dinarit është çështje e mbijetesës serbe në Kosovë dhe M.. Ka pasur një marrëveshje që AKS-ja duhet të përmbushet, e cila nuk është lëvizur nga ngërçi dhe Serbia ka përmbushur të gjitha nga kartat e identitetit e te targat”, ka thënë Vuçiq.