Arbëri

LVV-ja s’do ta ankimojë në Supreme vendimin e PZAP-së për Listën Serbe

Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i ankohet Gjykatës Supreme për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në mënyrë që t’i mbrojë argumentet e saj mbi atë se përse Lista Serbe nuk duhet të certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit. Sipas LVV-së, Supremja do ta mbështesë vendimin e PZAP-së se subjekti i serbëve të Kosovës i ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore. Krahas kësaj, KQZ-ja të enjten nuk ka arritur ta trajtojë rekomandimin e Sekretariatit për zgjatjen e afatit për regjistrimin e mërgatës deri më 29 dhjetor, në mungesë të kuorumit

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk do t’u shkojë deri në fund veprimeve ligjore dhe nuk do të ankohet në Gjykatën Supreme për vendimin e së mërkurës të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që ta certifikojë për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit subjektin politik të serbëve të Kosovës, Lista Serbe.

Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka thënë të enjten se subjekti i tij politik nuk do ta ankimojë vendimin e PZAP-së në Supreme, për shkakun se e parasheh veridiktin që mund ta nxjerrë kjo gjykatë.

“Nuk do ta dërgojmë në Supreme, sepse mendojmë se nuk ka asnjë arsye, sepse Supremja do ta mbështesë vendimin e PZAP-së. Kemi përvojën e deritashme, që domethënë se të dy këto shkallë thirren në aspektin formal, me letra është në rregull, ne të tjerat sende nuk i shohim, nuk guxojmë me i pa”, ka thënë ai në një deklarim për media pas dështimit të mbledhjes së KQZ-së të enjten.

Lidhur me vendimin e PZAP-së, Kurteshi është shprehur i bindur se nuk është shtjelluar asnjë nga rrethanat rënduese dhe me karakter terrorist që janë parashtruar në arsyetimin e anëtarëve të LVV-së në KQZ për moscertifikimin e Listës Serbe.

Ai ka shtuar se pas vendimit të PZAP-së, çështja e certifikimit të Listës Serbe do të shtrohet sërish për trajtim brenda anëtarëve të KQZ-së.

“Lidhur me vendimin e PZAP-së duhet të kalojë afati për ankesë dhe atëherë do ta trajtojmë në KQZ. Sot bëhet i plotfuqishëm vendimi”, ka thënë Kurteshi.

Ai ka paralajmëruar se gjatë këtij shqyrtimi, përfaqësues të LVV-së në KQZ nuk do të japin votë pro për LS-në.

“Ne nuk do ta ngremë dorën për certifikimin e Listës Serbe në asnjë rrethanë”, ka theksuar ai.

Në Lëvizjen Vetëvendosje e kanë argumentuar propozimin për moscertifikim të Listës Serbe me thirrjet nacionaliste të bëra nga kryetari i këtij subjekti, Zlatan Elek, gjatë prezantimit të listës zgjedhore.

Gjatë së enjtes KQZ-ja nuk ka arritur që ta trajtojë rekomandimin e Sekretariatit për zgjatjen e afatit për regjistrimin e mërgatës deri më 29 dhjetor. Ky afat ka shkuar me përfundimin e së enjtes.

Deri në orët e pasdites janë regjistruar mbi 83 mijë persona për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. E afër 9 mijë kërkesa kanë qenë në pritje.

Trajtimi i rekomandimit për shtyrje, si edhe i disa pikave të tjera, ka dështuar për mungesë të kuorumit, pasi në sallë ka qenë i pranishëm vetëm kryetari i KQZ-së, dy përfaqësuesit e LVV-së dhe ai i IRDK-së.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se disa nga anëtarët i kanë arsyetuar mungesat, ndërsa disa të tjerë jo.

“Nuk kemi kuorum për ta mbajtur këtë takim. Tre nga anëtarët e KQZ-së kanë njoftuar që nuk do të marrin pjesë në këtë takim për disa obligime të tjera. Pjesa tjetër nuk kanë dhënë ndonjë njoftim, megjithatë nuk gjenden në ndërtesë këtu dhe tash 20 minuta kanë kaluar prej kur është caktuar mbledhja”, ka theksuar Radoniqi.

Por anëtarët e LVV-së i kanë akuzuar përfaqësuesit e Partisë Demokratike (PDK), të Lidhjes Demokratike (LDK) dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) se me mungesë kanë bërë përpjekje për ta pamundësuar shtyrjen e afatit.

“Mendoj që mungesa e kolegëve këtu, edhe të PDK-së, edhe LDK-së, edhe AAK-së, dihet pikërisht me këtë çështje. Ata edhe më herët e kanë shfaqur kundërshtinë e tyre për çfarëdo shtyrje të afateve apo edhe veprimeve që KQZ duhet t’i ndërmarrë në raport me përfshirjen sa më të madhe të mërgatës”, ka thënë Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga radhët e LVV-së.

Ai ka kërkuar që të gjenden mënyra të tjera për shtyrjen e afatit.

“Kryetar, po kërkoj që të shfrytëzojmë mundësi të tjera, së paku me procedurë qarkulluese apo si të jetë e mundur se ne nuk mundemi tash për një çështje kaq të rëndësishme ta mbyllim këtë çështje dhe të mos e trajtojmë”, ka theksuar ai.

Procesi i regjistrimit të diasporës, i cili është rekomanduar që të shtyhet edhe për tri ditë, ka nisur katër muaj më parë.