Veriu pritet të jetë kryetema të cilën Lëvizja Vetëvendosje do ta përdorë për fushatën e saj zgjedhore, sipas njohësve të zhvillimeve politike. E opozita kryesisht do ta ketë përqendrimin te goditja e pushtetit te rastet si ai i arrestimeve në Ministrinë e Mjedisit, publikimi i bisedave Mihali-Krasniqi, si dhe dështimet në përmbushjen e premtimeve
Ndonëse zyrtarisht fushata zgjedhore ka ende kohë për të filluar, dinamika e parafushatës është intensifikuar dukshëm.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në këtë kohë më shumë i ka kushtuar vëmendje diasporës duke organizuar tubime me ta, derisa partitë opozitare janë përqendruar në takimet me qytetarët brenda vendit.
Njohësit e çështjeve politike thonë se partia në pushtet do ta kërkojë votën e qytetarëve kryesisht me argumentin se e ka shtrirë pushtetin shtetëror në veri si kurrë më parë.
E opozita, sipas tyre, do të ndalet te arrestimi i zyrtarëve të afërt me pushtetin në Ministri të Mjedisit, publikimi i bisedave mes shefes së Grupit Paralamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, me nënkryetarët e Listës Serbe, dhe bisedat mes Dejona Mihalit, anëtare e LVV-së dhe ish-drejtorit të KEK-ut që tash është i akuzuar për korrupsion.
Politologu Artan Muhaxhiri ka thënë se shtrirja e sovranitetit në veri të vendit e dështimet e Qeverisë, te opozita do ta dominojnë fushatën.
“Është e pritshme që Lëvizja Vetëvendosje të fokusohet në dy shtylla kryesore, në trashëgiminë e problemeve nga qeveritë e kaluara dhe në ndryshimet në veri. Ndërsa opozita pritet që të përqendrohet në mungesën e zhvillimit ekonomik, në mungesën e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, prishjen e raporteve me aleatë dhe në afera të ndryshme korruptive”, ka thënë Muhaxhiri.
Ngjashëm mendon edhe Visar Ymeri, drejtor në institutin “Musine Kokalari”.
Por, sipas tij, nga pushteti mund të priten edhe vendime të reja në mënyrë që ta rrisë gjasën për të marrë vota në zgjedhjet e shkurtit 2025.
“Mendoj që ekziston ky rrezik me e përdorë praktikisht edhe një herë veriun për qëllime elektorale, duke bërë edhe një dëm të madh në atë pjesë dhe veçanërisht në prospektin e dialogut dhe zbatimit të marrëveshjes. Por në anën tjetër, mendoj që kjo do të jetë ajo për të cilën është duke llogaritur më së shumti kryeministri Kurti, përmes buxhetit t’i rrisë edhe pagat, ta bëjë edhe një rritje në rast si të pensioneve të benefiteve për veteranët e luftës dhe kategoritë e dala nga lufta”, ka deklaruar Ymeri.
E sipas njohësit të zhvillimeve politike, Mazllum Baraliu, partitë opozitare do t’i shtyjnë përpara temat lidhur me arrestimet dhe korrupsionin.
“Në radhë të parë është mospërmbushja e premtimeve nga ana e pozitës, nën dy do të përqendrohen në këto që këta i quajnë afera të zyrtarëve dhe keqpërdorimet, dhe, sipas tyre, të detyrës zyrtare, kanë dy-tre raste, por edhe të tjera, që janë të supozuara dhe pastaj fokusi kryesor është që ta gjejnë përsëri ndonjë ‘bombë’, të themi kushtimisht, për ta degraduar totalisht në atë nivelin më të rëndë kushtimisht, më të papranueshëm të gabimeve, që mund t'i kenë bërë qeverisja ose eksponentët e qeverisjes së tanishme. Ata (Vetëvendosja v.j.) i numërojnë rezultatet e tyre, pavarësisht ato në veri, ajo do të jetë, pra, arma kryesore”, ka thënë Baraliu.
Së fundi ka pasur edhe përshkallëzim të retorikës politike e kontaminim të fjalorit publik prej partive që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Andaj, njohësit thonë se pavarësisht se në çfarë drejtimi shkojnë partitë, qytetarët duhet të jenë të ftohtë e të arsyeshëm për ta peshuar përzgjedhjen e deputetëve që do t’i votojnë në zgjedhjet të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.