Arbëri

LVV-ja kërkon votën e grave për fuqizimin e rolit të tyre në vendimmarrje

Kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, ka premtuar vazhdimin e zbatimit të politikave që e fuqizojnë rolin e gruas në vendimmarrje gjatë tubimit elektoral të mbajtur me gra e vajza në Prishtinë. E Hekuran Murati, kandidat për deputet i LVV-së, është zotuar të vazhdohet puna në ndërmarrjen e masave që e fuqizojnë gruan në rrafshin ekonomik

Me brohoritje dhe duartrokitje është pritur të mërkurën kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në tubimin e organizuar me gra e vajza në Prishtinë. 

Në adresimin para tyre, Kurti ka folur për hapësirën që LVV-ja ua ka dhënë grave në vendimmarrje. 

“Rëndësia që LVV-ja i jep përfaqësimit të grave tejkalon kuotat e jo vetëm për të thënë se kemi gra në listë. Gratë nuk janë thjesht të përfshira se janë pjesëmarrëse e nuk janë thjesht pjesëmarrëse se janë vendimmarrëse”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se gratë në Kosovë përballen me vështirësi e pengesa të mëdha, e të cilat nuk janë të dokumentuara. “E megjithëkëtë ato nuk duhen parë si viktima, por si shembuj të heroizmit”, ka thënë ai.

E kandidatja për deputete e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se fitorja e LVV-së në zgjedhjet e katër vjetëve më parë është bërë e mundur me angazhimin e grave. E gjatë katër vjetëve në pushtet, ajo ka thënë se Qeveria e LVV-së ka ndërtuar politika që krijojnë më shumë mundësi për gratë. 

“Ne nuk kërkojmë favore, as përparësi. Ne gratë dhe vajzat kërkojmë barazi. Kërkojmë që puna jonë të vlerësohet, që zëri ynë të dëgjohet, që vendimet të mos merren pa vajzat dhe gratë. Jemi këtu për të thyer çdo barrierë që na del përpara, ne nuk do të pranojmë një shoqëri që gratë trajtohen si të dorës së dytë, ne nuk do të lejojmë që të mohohet kontributi ynë”, ka thënë ajo.

E Mimoza Kusari-Lila, kandidate tjetër për deputete e LVV-së, ka theksuar se pavarësisht arritjeve të një gruaje, janë burrat ata që nxitojnë dhe për ato ia japin kontributin dikujt tjetër.

“Me secilin gur që na gjuajnë, ne ndërtojmë rrugë që të tjerat të vijnë pas pa pengesa”, ka thënë ajo.

“Këto zgjedhje janë për të gjitha ju, për sigurinë dhe mirëqenien tuaj. Janë për vajzat që ende nuk e kanë të drejtën për të votuar. Duhet masivisht të dilni dhe të votoni numrin 118 për qeverinë e kryeministrit Kurti që fuqizon gratë”.

E Hekuran Murati, kandidat për deputet i LVV-së, është zotuar se do të vazhdohet puna në ndërmarrjen e masave që e fuqizojnë gruan në rrafshin ekonomik.

“Pa gratë, pa gjysmën e popullsisë nuk mund të ketë ekonomi të zhvilluar”, ka thënë ai. 

Murati e ka përmendur premtimin e LVV-së për nisjen e platformës “superpuna për gratë” dhe krijimin e Fondit për Sigurime Shoqërore. 

“Gratë do ta votojnë Lëvizjen Vetëvendosje, sepse Lëvizja Vetëvendosje e Qeveria Kurti është dëshmuar si e vetmja qeveri deri më tani që ka menduar dhe aplikuar masa konkrete për gratë”, ka thënë ai.

Tek iu drejtua grave, kandidati për deputet i LVV-së, Arben Vitia, ka thënë se më 9 shkurt ato i kanë dy mundësi - ta mundësojnë vazhdimin e rrugës së drejtësisë, mirëqenies e barazisë apo të kthehen pas, në atë të interesave personale e përjashtimit të grave.

Pas tubimit me gra e vajza, LVV-ja aktivitetin elektoral e ka vazhduar në Vushtrri. Në tubimin elektoral në qendër të qytetit, Kurti ka bërë zotimin që t’i jetësojë të gjitha premtimet e dhëna dhe të atyre që i ka nisur gjatë qeverisjes aktuale. Ai ka numëruar edhe premtime të tjera.

“Në mandatet në vijim që do t’i kemi, duke filluar nga ky i ardhshmi, së paku  kemi 1 miliard euro shpenzime, investime kapitale në vit. E kësisoj, do ta përfundojmë rrugën Prizren-Tetovë, autostrada Prishtinë-Gjilan që shkon deri te Dheu i Bardhë e do ta përfundojmë edhe rrugën Dollc-Gjakovë e Kijevë-Zahaq, rrugën e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën e Istogun, si dhe do të vazhdojë ndërtimi i rrugëve Deçan-Plavë e Pejë-Rozhajë”, ka thënë ai.

Kurti ka pasur edhe kritika e thumbime për rivalët e tjerë në garën për kryeministër.

“Njëri prej tyre e solli një ide, ai mendon shumë mençur. Tha ne bëhemi kryeministra me rrotacion. Pra, duke e ditur që askush nuk do t’ju besojë, që ata s’i besojnë as vetes, thanë që e bëjmë me rrotacion, por ju këtu në Vushtrri e dini më së miri se çka bohet me rrotacion. Me rrotacion, toka mbillet një herë patate mandej speca në vitin e ardhshëm, ky është rrotacioni. Ose nëse janë serra, sallata, lakra, purrinj, kastraveca, këto janë me rrotacion. S’ka kryeministra me rrotacion, Qeveria jonë vazhdon pas 9 shkurtit”, ka thënë Kurti.