Arbëri

LVV-ja insiston në hapjen e urës, Peci druan se kjo mund të qojë në përplasje me KFOR-in

Në Lëvizjen Vetëvendosje ngulin këmbë se ura mbi lumin Ibër duhet të hapet dhe se nuk ekzistojnë argumente që ajo të mbetet e mbyllur për qarkullim të veturave. Por, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se duhet të merren parasysh thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare sipas të cilëve tani nuk është koha për këtë lëvizje. Po ashtu ata nuk përjashtojnë përplasjen me KFOR-in

Partia në pushtet insiston se ura mbi lumin Ibër që lidh jugun dhe veriun e Mitrovicës duhet të hapet për qarkullim edhe për vetura. Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha të hënën, se nuk ka argumente që ajo të vazhdojë të qëndrojë e mbyllur për vetura. 

“Në asnjë argumentim nuk mund të gjendet një kauzë e mirëfilltë për parandalimin e hapjes së urës, flasim për lëvizjen e lirë dhe domosdoshmërinë e normalizimit të jetës në atë pjesë të Kosovës. Ura ka mbetur sinonim i bllokadës dhe si sinonim i një kuazindarjeje që është pretenduar të bëhet shumë vjet më parë”, tha Kusari-Lila. 

Sipas saj, të gjitha rreziqet që kanë asociuar me mbylljen e urës tashmë janë eliminuar. 

“Është e pakuptimtë që secili qytetar i Republikës, pavarësisht nacionalitetit mund të shkojë me targa të Kosovës i papenguar deri në kufirin më verior të Kosovës, por nuk mund të kalojë me automjet përmes urës në Mitrovicë, që ndan një qytet të dikurshëm e dy qytetet të tanishme”, u shpreh Kusari-Lila. 

Bashkimi Evropian dhe QUINT-i kanë insistuar se për këtë çështje të diskutohet në dialogun në Bruksel, gjë që është refuzuar si ide nga autoritetet e Kosovës. 

Koordinim me ndërkombëtarët kërkon edhe drejtori i Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave - KIPRED, Lulzim Peci, i cili kujton se dy marrëveshje janë nënshkruar për këtë çështje. Ai tha se KFOR-i përveç që qëndron mbi urë, e mban përgjegjësinë kryesore edhe për sigurinë në veri të vendit. 

“Ne kemi pasur dy marrëveshje më 2016 dhe më 2018 dhe nuk janë zbatuar. Situata ka mbetur ashtu siç ka qenë më herët për shkak të gjendjes së sigurisë në veri  të vendit edhe për mendimin tim, bashkësia ndërkombëtare në këtë rast KFOR-i dhe QUINT-i të cilët e kanë përgjegjësinë përfundimtare për veri të vendit por edhe për krejt territorin e Kosovës hezitojnë ta bëjnë këtë hap meqë deri më tani nuk është arritur ndonjë lloj mirëkuptimi me serbët e pjesës veriore të Kosovës”, tha Peci. 

Sipas Pecit, hapja e urës pa koordinim me ndërkombëtarët do t’i bënte dëm të madh Kosovës politikisht, e mund të çonte edhe te një konfrontim me trupat paqeruajtëse. 

“KFOR-i e ka përgjegjësinë kryesore për sigurinë në veri të vendit. Nëse tentohet të hapet unilateralisht ne mund të vijmë deri te një përplasje e trupave të KFOR-it me Policinë e Kosovës. Qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare është i prerë: nuk bën në gjendjen e tanishme. Tani, sa është llogaria jonë që të shkojmë në konfrontim me KFOR-in, unë mendoj që kjo do të kishte qenë gabimi më i madh. Mënyra se si duhet të bëhet kjo është që të ulemi të bisedojmë shtruar dhe të shihet se si dhe në çfarë mënyre mund të bëhet hapja e urës, e cila do të përkrahej nga krejt palët e interesuara”, tha Peci. 

Ura është e mbyllur për qarkullim me vetura që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Më 2011 ishte barrikaduar prej serbëve lokalë, por pengesat u larguan dhe ajo u hap për qarkullim të këmbësorëve më 2016, pas negociatave të gjata në Bruksel. Paraprakisht u rinovua me fonde të BE-së.