Arbëri

LVV-ja i kërkon Prokurorisë t’i hetojë subvencionet e dhëna nga Komuna e Prishtinës

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka kërkuar që të zhvillohen hetime në Komunën e Prishtinës, pas raportimit të KOHËS se pushteti lokal ka subvencionuar klube që nuk janë aktive e nuk kanë licencë, si dhe organizata joqeveritare të paidentifikuara. Kryetari Përparim Rama nuk iu është përgjigj akuzave për rastet konkrete, por tha se përzgjedhja e përfituesve është bërë në bazë të ligjit

Një javë pasi KOHA raportoi se Komuna e Prishtinës u ndau subvencione edhe klubeve sportive të palicencuara e edhe organizatave joqeveritare të paidentifikuara, Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka ftuar për hetim organet e drejtësisë.

Sekretari i kësaj dege, Egzon Azemi, tha se ekzistojnë prova se buxheti i kryeqytetit është dëmtuar për mijëra euro.

“Ne këtë çështje e kemi ngritur dhe i kemi ftuar organet e drejtësisë që sa më parë të nisen hetimet dhe ne jemi të gatshëm që të gjitha provat dhe dëshmitë që i kemi, pra se si kanë përfituar individë fantomë që realisht nuk kanë asnjë klub aktiv. Publikisht po e themi, normalisht që kjo se çfarë po e themi ne nuk qëndron, Komuna në këtë rast do të duhej të na padiste neve për shpifje, por jemi të bindur sepse kemi fakte të vërteta dhe prova që organizatat dhe klubet fiktive kanë marrë mijëra euro nga buxheti i Prishtinës”, ka thënë Azemi.

KOHA ka raportuar se Komuna ia ka ndarë 2850 euro klubit të boksit për vajza “Dodona”, i cili nuk është aktiv dhe nuk ka licencë. KOHA ka mësuar se klubi nuk është aktiv, teksa këtë e kanë konfirmuar edhe në Federatën e Boksit.

“Klubi i boksit ‘Dodona’ për femra është i regjistruar në Federatën e Boksit të Kosovës, por jo edhe i licencuar në Ministri. Gjithashtu, klubi nuk është aktiv dhe nuk ka marrë pjesë në gara”, thuhet në përgjigjen e Federatës.

Për licencimin apo jo të këtij klubi, KOHA ka dërguar pyetje edhe në Ministri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Zyrtarë të këtij dikasteri qeveritar kanë konfirmuar se klubi “Dodona” deri tani nuk ka aplikuar për licencë.

E në një arsyetim të Komunës së Prishtinës kanë thënë se klubi i ka plotësuar kushtet për të qenë përfitues i subvencioneve nga fusha e rinisë dhe sportit për vitin 2024.

Përfitues i subvencioneve për rini dhe sport ka qenë edhe organizata joqeveritare “Mashkull”, porse, sipas Departamentit për Regjistrimin e Organizatave Joqeveritare, nuk ekziston një OJQ me emër të tillë.

“Në sistemin elektronik të organizatave joqeveritare, OJQ me emrin ‘Mashkull’ nuk figuron në sistemin elektronik të organizatave joqeveritare”, thuhet në përgjigjen e Departamentit.

Për përzgjedhjen e përfituesit “Mashkull”, KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga Komuna e Prishtinës.
Zyrtarë të saj e kanë arsyetuar këtë çështje me përpunimin automatik të të dhënave në sistem.

Kryetari Përparim Rama pa iu dhënë përgjigje akuzave për rastet konkrete, tha të mërkurën se përzgjedhja e përfituesve është bërë në bazë të ligjit.

“Komisioni i cili përzgjedh klubet, i cili përzgjedh organizatat joqeveritare është i formuar nga Drejtoria e Kulturës dhe çdo gjë është në bazë të ligjit”, ka thënë kryetari Rama.

Komuna e Prishtinës ka ndarë rreth 650 mijë euro për subvencione në fushën e rinisë dhe sportit, nga të cilat kanë përfituar 166 subjekte të ndryshme.