Grupi i Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës të enjten ku pikë e rendit do të jetë Plani Zhvillimor Komunal. Në një reagim, LVV-ja ka thënë se ky plan është i paligjshëm.

Ky grup i ka bërë thirrje asamblistëve të subjekteve të tjera politike që ta bojkotojnë mbledhjen e së enjtes, që “të mos e legjitimojnë me praninë e tyre një dokument që rrezikon të kthehet në pasojë për të ardhmen e qytetit”.

Sipas LVV-së, ky është proces joligjor, joprofesional dhe i dëmshëm për Prishtinën.

“Ky është tentimi i radhës për ta kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit, për të cilin Ministria e Mjedisit ka konstatuar qartë shkelje të shumta procedurale dhe ligjore. Ky draft aktual i PZHK-së, me 28 komente negative nga MMPHI, ndër të tjera parashikon zgjerim të zonave ndërtimore në mënyrë të pakontrolluar, projekton rrugë që kalojnë nëpër toka bujqësore të cilësisë së lartë dhe rrezikon zonat e mbrojtura ujore”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Rama: Opozita po kërkon transparencë, por po e bllokon PZHK-në të dalë në konsultim publik

1 o. më parë / 24 pri 2025 11:05
Rama

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se opozita po kërkon transparencë, por se ajo po e bllokon Planin Zhvillimor Komunal të dalë në konsultim publik.

Pas ndërprerjes së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, Rama ka thënë se prej një viti e gjysmë po punohet në këtë dokument.

“Nuk i kishim ata asamblistë (VV, PDK) sot këtu. Shohim shumë postime që thirren në jotransparencë, është e kundërta prej asaj që ne po kërkojmë prej një viti e gjysmë. Një dokument që kanë punuar të gjitha drejtoritë, institucionet, qytetarët, një dokument që është i gatshëm për diskutim publik që t’i paraqitet publikut që ta rishikojmë së bashku, të japim komente, propozime, nuk votohet që të dilet në diskutim publik. Tentojmë për transparencë të plotë që një vit e gjysmë dhe ja vazhdon bllokimi i këtij dokumenti”, ka thënë ai.

Dështon mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës

1 o. më parë / 24 pri 2025 10:46
kuvendi komunal

Photo: Driton Paçarada

Ka dështuar të mbahet seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës ku parashihej si pikë Plani Zhvillimor Komunal. Ajo nuk u mbajt në mungesë kuorumi.

21 asamblistë ishin të pranishëm në sallë.

Kryesuesi i seancës, Ajet Brajshori, ka thënë se seanca e sotme nuk ka pasur të bëjë me miratimit e Planit Zhvillimor.

Rama: Nëse PZHK-ja nuk votohet sot, qytetarëve u mohohet e drejta të jenë pjesë e procesit

2 o. më parë / 24 pri 2025 09:50
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama 9 janar 2025

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se refuzimi për të votuar sot për nxjerrjen në shqyrtim publik të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) do të përbënte mohimin e të drejtës së qytetarëve për të qenë pjesë e procesit vendimmarrës mbi zhvillimin e kryeqytetit.

“Sot votohet për transparencë të plotë”, u shpreh Rama në një reagim publik.

Ai theksoi se pas një viti e gjysmë bllokimesh, PZHK-ja vazhdon të pengohet “nga ata që nuk po duan që qytetarët të kenë qasje, informacion dhe të drejtë fjale për të ardhmen e qytetit”.

Sipas Ramës, votimi i sotëm në Kuvendin Komunal nuk ka të bëjë me miratimin përfundimtar të planit, por me mundësinë që ky dokument të bëhet publik dhe të hapet për komente, propozime dhe vërejtje nga qytetarët.

“Nëse nuk votohet sot, qytetarëve u mohohet e drejta të jenë pjesë e një procesi që vendos për lagjet, infrastrukturën, gjelbërimin dhe zhvillimin urban të Prishtinës”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai i bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të Kuvendit Komunal që të dëshmojnë përkushtim ndaj një qeverisjeje të hapur dhe të ndershme, duke vlerësuar se ky është momenti për të parë qartazi “kush po voton për jo-transparencë e kush po bllokon”.

Opozita kryesore në kryeqytet, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit Komunal, ku do të shqyrtohet PZHK-ja. Sipas një reagimi të kësaj partie, plani i propozuar është i paligjshëm.