Arbëri

LVV-ja akuzon Komunën e Prishtinës se po e falimenton “Pastrimin”, kërkon anulimin e tenderit 16.5 milionësh

Besart Krasniqi - asamblist i Prishtines

Foto: Driton Paçarada

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Besart Krasniqi, ka thënë se Komuna e Prishtinës është duke e çuar drejt falimentimit ndërmarrjen publike “Pastrimi” dhe rrjedhimisht po i lë pa punë mbi 900 punëtorë. 

Krasniqi në konferencë për media ka folur për thirrjet për një kontratë kornize 3-vjeçare nga Komuna e Prishtinës, në vlerë 16.5 milionë euro, për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. 

“Në besojmë se kjo kontratë është hapi i fundit para falimentimit të ndërmarrjes ‘Pastrimi’ dhe rrjedhimisht mbetjen pa punë e mbi 900 punëtorëve.  Të gjithë ne jemi dëshmitar të gjendjes jo të mirë që mbretëron në Prishtinë, sa i përket mbeturinave, dhe natyrisht qe kjo është e papranueshme për ne dhe për qytetarët e Prishtinës.  Megjithatë hapja e kësaj thirrje publike nga Komuna e Prishtinës, dhe mundësia që mbledhja e mbeturinave të bëhet nga operator privat, neve na dëshmojnë që i gjithë procesi i ngufatjes së Prishtinës nga bërlloku, gjatë 3 viteve të kaluara, është bërë qëllimshëm nga ekzekutivi komunal, në mënyrë që pastaj të ndryshohet rregullorja për menaxhimin e mbeturinave, të futet një nen që lejon futjen në treg të operatorëve privatë, dhe tani hapi i fundit, tenderi i madh 16.5 milionë - ku tregun e marrin privatët, kurse ‘Pastrimi’ në mungesë të të hyrave bankroton dhe 900 familjeve ju rrezikohet mirëqenia”, ka thënë Krasniqi në konferencë. 
Ai ka thënë se tenderi prej 16.5 milionë euro, është “produkt i filluar nga qeverisja LDK-PDK dhe tash i vazhduar e gati i realizuar nga LDK-ja me në krye Përparim Ramën”. 

Krasniqi ka thënë se si rezultat i këtij veprimi, po rrezikohet një grant me vlerë prej 70 milionë euro i KfW për “Pastrimin”, “e me të cilat mjete do të zgjidhej njëherë e përgjithmonë problemi i mbeturinave në kryeqytet”. 

“Duhet pranuar se gjendja në ndërmarrjen ‘Pastrimi’ është e rëndë dhe fajtor për këtë, përveç ekzekutivit komunal që nuk ka investu në ngritjen e kapaciteteve teknike, janë edhe menaxhmenti aktual dhe menaxhmentet e kaluara të ndërmarrjes. Abuzimi, keqpërdorimi, keqmenaxhimi dhe mbipopullimi i ndërmarrjes me militantë partiakë, ka rezultuar me performancë të dobët dhe mungesë të stabilitetit të ndërmarrjes.  Megjithatë, dorëzimi dhe falimentimi i ndërmarrjes nuk duhet të jetë opsion. Kjo është më e lehta, por është më e dëmshmja për publiken dhe për punëtorët.  Qasja dhe mendësia e LDK-së për favorizime të privatit e në dëm të publikes po vie në shprehje edhe kësaj radhe.  Një ndërmarrje e krijuar para 7 dekadave, që iu ka bë ballë shumë stuhive, po rrezikohet seriozisht për shuarje pikërisht gjatë qeverisjes së LDK-së në Prishtinë.  Kjo nuk duhet të ndodhë, dhe këtë nuk do ta lejojmë të ndodh”, tha Krasniqi. 

Ai ka bërë thirrje të anulohet tenderi me vlerë 16.5 milionë euro, të krijohet një plan afatshkurtër për rritjen emergjente të kapaciteteve teknike dhe menaxheriale të “Pastrimit” dhe të krijohet një masterplan për rivitalizimin dhe fuqizimin e ndërmarrjes dhe një sistem efikas të menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.